Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besim Mulaj, ka vazhduar sot me aktivitetet e tij në kuadër të fushatës.
Ai ka qëndruar në Suharekë, ku tha se mijëra qytetarë u bënë bashkë në një mobilizim të jashtëzakonshëm për ndryshimin.
“Suhareka e Ukë Bytyqit sonte u besatua me LDK-në , që më 9 shkurt, përfundimisht do t’ia lidhin E-në me C-në cep me cep kësaj qeverie. Suhareka foli qartë. Mijëra qytetarë u bënë bashkë në një mobilizim të jashtëzakonshëm për ndryshimin, duke i dhënë mbështetje të fuqishme vizionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Nga të gjitha lagjet, fshatrat dhe qyteti, burra e gra, të rinj e të moshuar, dolën në përkrahje të një Kosove më të mirë, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Ky është një mesazh i qartë: më 9 shkurt, Suhareka dhe e gjithë Kosova do të vendosin për një qeverisje që sjell rezultate, që respekton qytetarët dhe që e vendos vendin në rrugën e zhvillimit. Besimi në ndryshim është tashmë i pakthyeshëm. Bashkë po ndërtojmë një të ardhme më të mirë!”, shkroi ai.