![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Kandidati për deputet, Besim Mulaj, nga radhët e LDK’së me numër 79 në listën votuese ka falënderuar medat dhe gazetarët për rolin e tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të informuar.
Më tutje ai ka thënë se në këto pesë vite të qeverisjes së majtë gazetarët janë përballur me barriera të shumta.
“Puna juaj është një mision fisnik dhe sfidues. Në këto pesë vite të qeverisjes së majtë, ju jeni ballafaquar me barriera të shumta – nga kufizimi i qasjes në informata deri te etiketimet dhe sulmet publike nga zyrtarët qeveritarë. Megjithatë, përkushtimi juaj për informimin e drejtë dhe të pavarur të qytetarëve të Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne e vlerësojmë lart rolin tuaj në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të informuar. Liria e medias është themeli i një shteti të drejtë dhe euroatlantik, dhe unë, bashkë me subjektin tim, ju mbështesim fuqishëm në këtë kauzë fisnike”, u shpreh Mulaj.
Më tutje Mulaj ka kërkuar mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Koha është për ndryshim! Përtej profesionit tuaj si gazetarë, pronarë apo punonjës mediash, ju mbi të gjitha jeni qytetarë të Kosovës. Me votën tuaj dhe atë të familjeve tuaja, mund të kontribuoni për një Kosovë më demokratike dhe më të hapur ndaj botës. Ju bëj thirrje që më 9 shkurt të votoni Lidhjen Demokratike të Kosovës me numër 124 dhe Dr. Lumir Abdixhikun për Kryeministër, si dhe të më mbështesni mua si kandidat për deputet me numër 79”, u shpreh Mulaj.