Besnik Bislimi thotë se gjyqësori i ka shpallur luftë qeverisë: Do ta humb me shumë turp - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Besnik Bislimi thotë se gjyqësori i ka shpallur luftë qeverisë: Do ta humb me shumë turp

    Insajderi
    15 July 2025 - 22:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Supreme për rrëzimin e udhëzimit administrativ për arkat fiskale të Ministrisë së Financave.

    Bislimi ka vlerësuar se gjyqësori i ka shpallur “luftë” qeverisë dhe ka thënë se këtë luftë “do ta humb me shumë turp”, shkruan Insajderi.

    Edhe një rast sa tipik ashtu edhe primitiv i luftës së hapur që gjyqësori i ka shpallur qeverisë dhe zhvillimit të shtetit. Një luftë që me siguri të plotë do ta humb me shumë turp“, deklaroi Bislimi.

    Bislimi ka shpërndarë njoftimin e Qeverisë, e cila e ka cilësuar si të “njëanshëm” dhe të “motivuar politikisht” vendimin e Gjykatës Supreme.

    Çka thotë vendimi i Gjykatës Supreme?

    Gjykata Supreme ka hedhur poshtë një udhëzim administrative të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për çështjen e arkave fiskale.

    “Në përputhje me nenet 28 dhe 29 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, si dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre si deputetë të Kuvendit, gjykata vlerëson se ministri në detyrë përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar i ka përfunduar mandati dhe përkatësisht ka qenë ministër në dorëheqje në momentin e nënshkrimit, përkatësisht publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

    Supremja po ashtu përkujton se Ligji për Qeverinë, neni 31, përcakton se qeveria në dorëheqje është autorizuar të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme.

    “Gjithashtu, në referim të kufizimeve të përcaktuara me nenin 31 të Ligjit në fjalë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet tutje në vendim.

    “Në të njëjtën kohë, Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025, është nxjerrë pa miratimin e Qeverisë, në shkelje të nenit 11 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë, i cili përcakton kompetencat e ministrive për propozimin e akteve nënligjore normative me karakter të përgjithshëm për miratim nga ana e Qeverisë”.

    Po ashtu, Supremja e njeh Muratin vetëm si deputet.

    “Ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet në shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës, të cilat ndalojnë ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative, si dhe parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë”. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark