KV Mechelen të shtunën në mbrëmje mori një fitore të madhe si mysafir ndaj Antwerp me rezultat 1-0, ku tani skuadra e drejtuar nga Besnik Hasi, nga frika për rënie po ëndërron një vend në top 6.
Kur Besnik Hasi zbarkoi në KV Mechelen, situata nuk ishte aspak premtuese, pasi me trajnerin paraprak në 13 ndeshje, skuadra kishte marr vetëm 12 pikë dhe renditej në pozitat e fundit. Madje ishin eliminuar edhe nga Kupa e Belgjikës, nga një skuadër gjysmë amatore.
Por pasi kanë kaluar tre muaj, tashmë te KV Mechelen, nuk flitet më për mbijetesë, ndërsa fitoret e njëpasnjëshme, kanë bërë që të synohet top 6 që dërgon në play-off.
Nga 11 nëntori deri më 27 dhjetor, skuadra e Hasit kishte zhvilluar shtatë ndeshje, ku morën 10 pikë, por viti 2024 ka qenë asgjë tjetër përveç shkëlqim.
Pra në vitin 2024, bilanci është katër fitore dhe dy barazime, plot 14 pikë të tubuara, ose më mirë më thënë skuadra më në formë në Belgjikë.
Këto pikë, aktualisht e mbajnë KV Mechelen në vendin e tetë, katër pikë larg vendit të gjashtë që dërgon në play-off.
Kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në përfundimin e kampionatit të rregullt në Belgjikë, trajneri i njohur shqiptar do të vazhdojë të jetë në ndjekje të mrekullisë, një vend në play-off. /Telegrafi/