
Kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka takuar sonte profesionistë të shëndetësisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në zhvillimin e komunës. Ai bëri të ditur se në ekipin e tij janë tre kandidatë të përkushtuar nga fusha e shëndetësisë, të cilët do të japin kontributin e tyre gjatë katër viteve të ardhshme.
“Sonte pata kënaqësinë e veçantë të bisedoj me profesionistët e shëndetësisë. Jam i lumtur që në ekipin tonë kemi 3 kandidatë të përkushtuar, të cilët do ta japin kontributin e tyre 4-vjeçar për avancimin e sistemit shëndetësor në komunën tonë”, tha Osmani.
Ai shtoi se prioritetet e tij në këtë fushë do të jenë:
• Qendra Stomatologjike
• Qendra e veçantë e Urgjencës
• Qendrat e reja shëndetësore në qytet
• Analizat laboratorike të qasshme nga çdo vendbanim
Me këto investime, Osmani tha se shëndetësia në Fushë Kosovë do të marrë një hap të madh përpara, duke garantuar mirëqenie më të madhe për qytetarët.