Deputeti, Besnik Tahiri, ka publikuar sot ftesën nga Kongresi Amerikan, dërguar kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj, për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump, më 18 dhjetor 2024.
Përmes një postimi Tahiri theksoi se kryetari Haradinaj ka sakrifikuar angazhimet për fushatën zgjedhore, duke e vlerësuar ftesën si një shenjë të miqësisë dhe partneritetit të përhershëm mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“Për hir të korrektësisë dhe transparencës publike, po publikojë ftesën nga Kongresi Amerikan, respektivisht, kongresisti Robert B. Aderholt për kryetarin Ramush Haradinaj, me rastin e inaugurimit të Presidentit Trump, e pranuar më 18 dhjetor 2024. Në respekt të kësaj ftese, mirënjohjes dhe miqësisë së përhershme me SHBA-të, kryetari Haradinaj ka sakrifikuar agjendën e zgjedhjeve. Nuk ka asgjë më jetike sesa marrëdhënia e Republikës së Kosovës me SHBA dhe përfaqësimi ynë në këtë ngjarje”.
Tahiri gjithashtu theksoi se në politikën e jashtme amerikane, respekti dhe miqësia janë të përbashkëta mes Kongresit dhe Administratës, dhe se Haradinaj ka trajtuar ftesën si një ftesë të drejtpërdrejtë nga Presidenti Trump.
Deputeti falënderoi Kongresistin Robert B. Aderholt dhe të gjithë miqtë amerikanë në Senat, Kongres dhe Administratë për mbështetje dhe partneritet të vazhdueshëm.