Numri i vajzave të cilat kur rriten bëhen shkencëtare, është i vogël në krahasim me djemtë. Një muze i shkencës në Denver po përpiqet për ta ndryshuar këtë prirje, duke u dhënë mijëra vajzave shansin të takojnë gra që merren me shkencë dhe të frymëzohen që edhe ato të përpiqen për të pasur një karrierë shkencore.
Për t’i ndihmuar vajzat të realizojnë ëndrrën e tyre, shumë familje u mblodhën në Muzeun e Natyrës dhe të Shkencave në Denver, për Ditën e Shkencës. Inxhinierja për mjedisin, Daniela Castaneda, tregon se si qyteti filtron ujin e pijshëm.
“Kjo është tabela që tregon se si ndotet uji dhe përse është e rëndësishme që ai të pastrohet…”, thotë Daniela Castaneda.
Vajzat përdorin zogj-lodra, sikurse shkencëtarët si biologia Emily Snode-Brenneman veprojnë me zogj të vërtetë, me qëllim që të studiojnë sjelljen e tyre të vërtetë.
“Ngjisim këtë pajisje të vogël në shpinën e zogjve për të monitoruar lëvizjet e tyre”, thotë Emily Snode-Brenneman.
“Mendoj se është bukur të punosh me zogjtë, mua më kanë pëlqyer ata gjithmonë”, thotë Annika, nxënëse e shkollës së mesme.
Por, jo gjithshka është punë praktike. Stilistja Meghan Anderson Doyle shpjegon se si shkenca e gjeometrisë e ndihmon atë të krijojë fustane.
“Fillimisht ne vizatojmë modelin në letër, dhe pastaj e realizojmë atë në mënyrë tre-dimensionale tek stofi, i qepim bashkë copat, duke krijuar kështu fustanin”, thotë Megan Anderson Doyle.
Familjet, përfshirë djemtë, janë gjithmonë të mirëpritur në këtë ditë të veçantë, për të parë se si karrierat në shkencë janë të hapura për të gjithë./VOA