Ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vazhdojnë të shkëmbejnë akuza të rënda mes vete, duke nxjerrë në pah të “bëmat” dhe “tradhtitë” në luftën e fundit, shkruan ‘Zëri’.
Përplasje e ashpër së fundi ka ndodhur mes deputetit të “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, dhe ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci, pasi që Selimi i ka thënë Hashim Thaçit në seancën e së premtes se e dëshiron për president, aq sa e dëshiron familja Jashari.
Pas kësaj deklarate i menjëhershëm ka qenë reagimi i Lladrovcit në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se Selimit ia ka shpëtuar miqësinë me Adem Jasharin, ashtu si edhe jetën pas asaj “tradhtisë” ndaj Adem Jasharit.
Debati mes Selimit dhe Lladrovcit nuk po i pëlqen aspak ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, i cili ka thënë për “Zërin” se një debat i tillë nuk do të duhej të ndodhte mes të atyre që kanë qenë pjesë e luftës. (Zëri)