Altiana Zogaj

Altiana Zogaj -

12:30 - 30 Korrik 2022

Profesioni i doktorëve vazhdon të jetë fisnik, njohuritë mbi diagnostikimin dhe trajtimin e njerëzve jo rrallë kanë sjellë rezultate të mëdha. Në shtetin i cili gjendet në lindje të Evropës, rëndësia e mjekëve tashmë është jetike, aq shumë saqë secili qytetar po mëson teknika mjeksore, shkruan Insajderi.

Ukraina, prej afro 5 muajsh është në luftë me Rusinë, çdo ditë, atje ka persona të plagosur e me lëndime të rënda. Në frontin e parë janë mjekët që po qëndrojnë afër pacientëve të tyre në çdo hap.

Yevegenia Smirenska, 46 vjeçare, është sonografja (teknike e ultrazërit) e cila nuk u lind në Ukrainë, por, u rrit atje. E njëjta punon në dy klinika private në Odessa të Ukrainës.

Përmes një interviste me Insajderin, Smirenska ka rrëfyer sfidat në ditët e luftës dhe vullnetarizmin që ajo bashkë me qytetarët ukrainas po bëjnë në shërbim të shtetit të tyre.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

Insajderi: Si ka qenë përvoja e ushtrimit të profesionit tuaj në që nga fillimi i luftës dhe deri më sot krahasuar me ditët e paqes?

Smirenska: Në ditët e para të luftës përfundova në një qytet tjetër pasi ngjarjet po zhvilloheshin shumë shpejt. Atje unë dhe djali im gjetëm një organizatë lokale vullnetare dhe Kryqin e Kuq të Ukrainës. Për 1.5 muaj çdo ditë ne po ndihmojmë refugjatët.

Kam qenë në detyrë në stacionin hekurudhor dhe në pikën kufitare si mjeke. Kemi parë shumë dhimbje, njerëz që kanë humbur gjithçka. Ata kishin nevojë për ndihmë mjekësore dhe psikologjike

Insajderi: Në çfarë hapësirash jeni duke kryer shërbimet mjekësore, a janë funksionale klinikat ku ju keni punuar?

Smirenska: Aktualisht punoj në Odesa dhe klinika jonë është, fatmirësisht, e paprekur. Në qytet tani kemi shumë mjekë që ikën nga qytete të tjera që kanë vuajtur shumë (Mariupol, Mykolaiv, Kherson). Shumë njerëz janë larguar nga qyteti, por ka edhe shumë refugjatë që kanë ardhur këtu.

Disa njerëz kthehen, pasi puna e tyre dhe të gjitha gjërat e tjera në jetën e tyre janë këtu. Edhe unë u ktheva në qytetin tim sepse duhet të punojmë pavarësisht rrezikut

Insajderi: A ka mjaftueshëm medikamente trajtimi për pacientët ?

Smirenska: Pasi unë punoj në një klinikë private ka. Situata në klinikat shtetërore është e ndryshme dhe sigurisht që ka mungesa të medikamenteve

Insajderi: Sa pacient po trajtohen atje?

Smirenska: Në spitale ka shumë të plagosur, ushtarakë dhe me qindra të tjerë që janë civil

Insajderi: Në aspektin emocional dhe psikologjik, si jeni duke e përballuar këtë fazë, duke e ditur se pacientët tani nuk janë të pakt në numër?

Smirenska: Një mjek tani nuk mund të relaksohet dhe duhet të jetë në një gjendje të vazhdueshme gatishmërie. Edhe qytetarët po mësojnë mjekësinë taktike dhe mënyrat për të ndihmuar të plagosurit

Insajderi: Si kanë qenë kontaktet tuaja me familjen tuaj të ngushtë, a jeni takuar me ta?

Smirenska: Familja ime e ngushtë është me mua. Kam mbështetje nga ata, sigurisht që edhe djali im është vullnetar, po ashtu ndihmon edhe bashkëshorti im (i cili është kirurg), ka blerë shumë ilaçe dhe një makinë për ushtrinë. Jemi të gjithë bashkë

Insajderi: Pra ju të dy jeni doktor, a do të thotë kjo që mbështetja është edhe më e madhe?

Smirenska: Edhe pse ai i përket një dege tjetër, po më kupton shumë mirë

Insajderi: Si përfundim, cili është mesazhi juaj si qytetare e Ukrainës, si grua, si nënë dhe si mjeke?

Smirenska: Është një betejë për ekzistencën e vendit dhe kombit tonë, me një armik shekullor. Tani si kurrë nuk duhet të jemi të bashkuar, të mbështesim njëri-tjetrin dhe ushtrinë tonë. Do të fitojmë patjetër. Dhe ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë ndihmuar.

Bota duhet të kuptojë se nëse nuk e ndalojmë Rusinë, ajo do të shkojë më tej. Si nënë më dhemb zemra për çdo fëmijë të vdekur, dhe për çdo ushtar të rënë e të plagosur pasi edhe ata kanë familje. Kohët e fundit në Vinnystia një klinikë u shkatërrua nga një raketë. Të dy mjekët dhe pacientët vdiqën

Fotografi të realizuara në Ukrainë të siguruara nga Insajderi:

Betimi i Hipokratit: