Biden emëron kreun e ri të Komandës Amerikane në Europë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Biden emëron kreun e ri të Komandës Amerikane në Europë

    Insajderi
    04 May 2022 - 10:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjenerali Christopher Cavoli, i cili momentalisht mban detyrën e shefit të forcave të ushtrisë amerikane në Europë dhe Afrikë, është emëruar nga Presidenti Joe Biden për të mbajtur postin e gjeneralit kryesor amerikan në Europë, si kreu i Komandës Amerikane në Kontinentin e Vjetër.

    Lajmin e konfirmoi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Nëse konfirmohet nga Senati, Cavoli do të marrë drejtimin e rreth 100 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në Europë, në një kohë kur prej më shumë se dy muajsh, Rusia vijon të mbajë trupat e saj në Ukrainë.

    Një nga detyrat e gjeneralit Cavoli do të jetë edhe koordinimi i armatimeve dhe furnizimeve të tjera që do të marrë Ukraina, si edhe monitorimi i lëvizjeve ushtarake të Rusisë në Europë.

    Komanda Amerikane në Europë është kujdesur që prej fillimit të luftës për sigurimin e funksionimit të të gjithë zinxhirit të dërgimit të armëve perëndimore në Ukrainë. Armatimet dërgohen në vendet kufitare, si Polonia dhe Rumania, e më pas merren nga personeli ushtarak ukrainas e futen brenda vendit përmes kamionëve apo trenave. Forcat amerikane në këtë njësi gjithashtu janë marrë edhe me trajnimin e ushtarëve ukrainas në përdorimin e sistemeve të artilerisë.

    Cavoli do të zëvendësojë në këtë detyrë Gjeneralin e Forcave Ajrore, Tod Wolters, i cili do të dalë në pension. Cavoli flet rusisht dhe ka shërbyer si drejtori për Rusinë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane. Ai gjithashtu ka kryer misione në Afganistan dhe ka njohuri të zgjeruara për luftime dhe operacione ushtarake në terren.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark