Biden me porosi të qarta në Beograd - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Biden me porosi të qarta në Beograd

    Insajderi
    15 August 2016 - 23:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do të qëndrojë gjatë dy ditëve të ardhshme në Serbi dhe në Kosovë për të takuar udhëheqësit më të lartë të të dyja vendeve që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa janë përfshirë në një proces bisedimesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

    Ai pritet që në Serbi të përçojë mesazhin e partneritetit. Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara transferuan në Serbi dy të burgosur nga burgu i Guantanamos një veprim që u vlerësua si gjest humanitar i Beogradit që po ecën në vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për integrime evropiane dhe ruajtjen e lidhjeve tradicionale me Moskën.

    Zëvendëspresidenti Biden pritet të nxisë Beogradin që të përshpejtojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën por edhe të trajtojë me përparësi çështjet që lidhen me krimet e luftës. Në këtë kuadër ai pritet të diskutojë edhe ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyci, tre shqiptaro amerikanë që u vranë në rrethana të panjohura në korrik të vitit 1999.

    Kryeministri serb, Aleskandër Vuçiç, është zotuar disa herë për ndriçimin e këtij rasti, por edhe 17 vjet pas luftës autorët nuk janë identifikuar dhe as vënë para drejtësisë.

    Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në fushatën e bombardimeve të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë dhe në proceset politike që çuan në pavarësinë e saj e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

    Radikalët serbë, pjesë e të cilëve deri në vitin 2008 ishte edhe kryeministri aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë paralajmëruar protestë kundër vizitës së zëvendëspresidentit Biden.

    Në Kosovë ndërkaq po bëhen përgatitjet për vizitën e zëvendëspresidentit Biden dhe udhëheqësit e saj e kanë cilësuar atë me rëndësi historike.

    Vizita e tij e gjen Kosovën në një periudhë tensionesh për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje mund të zërë vend në takimet e tij në Prishtinë ku pritet që të diskutohet edhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm si një sfidë në nivel botëror, por edhe me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

    Zëvendëspresidenti Biden do të marrë pjesë të mërkurën në ceremoninë e emërimit të një rruge që çon në kampin e forcave amerikane të KFOR-it, me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden.

    Kjo do të jetë edhe një nga rrugët që mbajnë emrat e personaliteteve amerikane, një formë kjo me të cilën në Kosovë shprehet mirënjohja për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. /Voa


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark