Niveli i naftës ra, pasi shitja vazhdoi në tregjet globale të aksioneve, por rënia u kufizua nga frika se hakmarrja e Iranit për vrasjen e liderit të Hamasit në Teheran mund të çojë në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Kontratat e naftës ‘Brent’ u mbyllën me rënie prej 51 centësh, ose 0.66%, në 76.30 dollarë për fuçi, ku çmimet ranë në nivelet më të ulëta që nga janari. Nafta e papërpunuar amerikane West Texas Intermediate ra 58 centë, ose 0.79%, në 72.94 dollarë, raporton Reuters, përcjell insajderi.
Tregjet e aksioneve ranë nga Azia në Amerikën e Veriut teksa investitorët largoheshin nga asetet më të rrezikshme, duke “vënë bast” se uljet e shpejta të normave të interesit nga Rezerva Federale do të jenë të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike të SHBA-së.
“Tregu i aksioneve po binte pasi raporti i punësimeve e ka bindur tregun se Fed-i edhe një herë ka mbetur poshtë kurbës”, shkroi Phil Flynn, analist i lartë.
Frikat për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit nga një luftë më e gjerë në Lindjen e Mesme kufizuan humbjet e naftës gjatë gjithë ditës.
Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për një përshkallëzim serioz në rajon pasi Irani dhe aleatët e tyre, Hamas dhe Hezbollah, u zotuan të hakmerren ndaj Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh dhe komandantit të lartë ushtarak të Hezbollahut javën e kaluar.
Tregtarët e naftës presin që kundërpërgjigjja e Iranit të jetë e shkurtër në kohëzgjatje, duke e bërë naftën e papërpunuar më të ndjeshme ndaj frikës së një recesioni në SHBA si ato që tronditën tregjet të hënën. /Insajderi.org/