BIK: Na është dhënë leja përfundimtare për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    BIK: Na është dhënë leja përfundimtare për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë

    Insajderi
    13 June 2022 - 19:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës i është përgjigjur pozitivisht Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për kërkesën e saj drejtuar institucionit lokal për leje-ndërtim të Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

    Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës sot ka marrë vendimin për leje ndërtimi për Xhaminë qendrore në kryeqytet.

    Sipas vendimit që e mban datën 13 qershor, Bashkësisë Islame i lejohet ndërtimi i kompleksit “Xhamia Qendrore” në Prishtinë.

    “I LEJOHET kërkuesit, Bashkësisë Islame të Kosovës ndërtimi i Xhamisë në Lagjen Dardania në Prishtinë, në kuadër të Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.

    “Po, e vërtetë është, sot është dhënë leje përfundimtare për ndërtimin e xhamisë qendrore”, ka deklaruar Sadriu.

    Ndërtimi i xhamisë së madhe ka qenë kërkesë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që nga përfundimi i luftës, me argumentimin, se në xhamitë ekzistuese nuk ka vend për falje të besimtarëve myslimanë.

    Bashkësia Islame kërkonte që Xhamia e Madhe të ndërtohet në qendër të Prishtinës, por Komuna e Prishtinës kishte vështirësi në gjetjen e lokacionit.

    Pas shumë debatesh e negociatash që kanë zgjatur me vite, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, në shesh-parkimin e Telekomit të Kosovës.

    Guri themeltar i xhamisë është vendosur në vitin 2012, por që nga ajo kohë deri në fillimin e punimeve ka pasur vështirësi në realizimin e projektit nga BIK./


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark