Rëndohet akoma edhe më shumë bilanci i uraganit Helene që e që ka goditur pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, 90 të vdekur shënohen tani nga furia e motit, si edhe dëme të mëdha materiale, përfshirë shkatërrimin e rrugëve dhe urave dhe vërshime nga Florida deri në Virxhinia.
Stuhia është karakterizuar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu dhe ka goditur Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhian, Floridën, Tenesinë dhe Virxhinian.
Zyrtarët druhen se bilanci i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, dhe se ekipet e ndërhyrjes së shpejt do të gjejnë edhe të tjerë trupa të pajetë gjatë kërkimeve të tyre.
Rrjeti i komunikimit është dëmtuar në shumë zona dhe qindra njerëz ende nuk kanë mundur të kontaktojnë familjarët, të cilët i kanë regjistruar si të zhdukur.
Dëmet nga stuhia e fuqishme konsiderohen se mund të arrijnë nga 15 miliardë dollarë deri në mbi 100 miliardë dollarë, teksa autoritetet thanë se linjat e rëndësishme të komunikimit dhe ato të transportit janë dëmtuar. Megjithatë, vlera reale e dëmeve do të dihet vetëm pasi të pastrohen zonat e prekura dhe ketë një vlerësim më të qartë të situatës.
Në Karolinën e Veriut, pothuajse të gjitha viktimat janë regjistruar në qarkun Bunkombe, ku vdiqën 30 persona, sipas autoriteteve. “Kjo është një katastrofë me përmasa historike”, tha guvernatori Roy Cooper për CNN.
“Personat me të cilët kam biseduar në perëndim të Karolinës së Veriut më kanë thënë se kurrë nuk kanë parë diçka të tillë”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden planifikon të vizitojë gjatë kësaj jave zonat e prekura.
“Është tragjike”, u tha Biden gazetarëve një ditë më parë, duke u zotuar se do t’iu ofrojë ndihmë për rimëkëmbje shteteve të goditura.