Bilçik: Nuk ka situatë ku ‘dikush merr gjithçka’, Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia t’i përmbush marrëveshjet tjera - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Bilçik: Nuk ka situatë ku ‘dikush merr gjithçka’, Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia t’i përmbush marrëveshjet tjera

    Insajderi
    17 January 2023 - 18:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Nuk ka situatë ku dikush merr gjithçka”, tha eurodeputeti sllovak dhe Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, duke folur për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa kërkoi edhe që palët të bëjnë kompromise, shkruan Insajderi.

    Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ndërsa Serbia duhet t’i përmbush marrëveshjet e tjera të cilat s’i ka zbatuar, u shpreh Bilçik, siç e citoi televizioni publik i Vojvodinës.

    Procesi i dialogut, sipas Bilçik, ka intensitet të madh, derisa shtoti se “ka shumë takime që janë publike dhe prapa skenave”.

    Në lidhje me procesin e negociatave të Serbisë me BE’në, Bilçik tha se Beogradi ka tri detyra kyçe të cilat ia kushtëzojnë rrugën para – Dialogu me Kosovën, reformat e brendshme dhe harmonizimi me politikat e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përkatësisht sanksionet ndaj Federatës Ruse.

    Pyetur rreth aplikimi të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, Vladimir Bilçik, tha se “ka rrugë të gjatë” prej dorëzimit të një aplikacioni e deri te anëtarësimi në unionin evropian.

    “Kam thënë se viti i kaluar ka qenë i mirë për zgjerimin. Aplikimi i Kosovës është mundësia që zgjerimi të përfshijë të gjithë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuptim Kosova e shfrytëzoi këtë mundësi, por duhet të presim vendimin e Komisionit Evropian”, transmeton Insajderi.

    Bilçik theksoi bashkëpunimin “tejet të ngushtë” që Kosova ka me Bashkimin Evropian ndaj agresionit rus, gjë që Brukseli pret gjithashtu nga Beogradi.

    “Mendoj se politikanët në Kosovë e shfrytëzuan këtë mundësi. Por, definitivisht do të presim vlerësimin e Komisionit Evropian. Realitetin e dimë si është. Që pesë vende të BE’së nuk e njohin Kosovën. Sidoqoftë, BE’ja, përfshirë edhe këto pesë shtete, janë të përkushtuara për të ardhmen evropiane të rajonit”, ka thënë Vladimir Bilçik./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark