
Është realiste që mund të kemi marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë brenda disa javësh ose muajsh, tha eurodeputeti njëherit Raportues për Serbinë në Parlamentit Evropian, Vladimir Bilçik, raporton Insajderi.
Krejt çka duhet për realizimin e kësaj marrëveshje është “mirëkuptimi i ndërsjellë dhe përkushtimi” i palëve negociuese.
Por, nga Kosova pritet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, tha eurodeputeti, “sepse ajo është një premtim ndaj të cilit nuk do të heq dorë askush”.
“Ka gjithashtu një numër copëzash që Beogradi duhet t’i përmbush dhe s’ka zgjidhje të lehta”, tha Vladimir Bilçik. “Në fund, duhet të ketë marrëveshje, një kompromis, por edhe diçka që do të mund ta ndihmonte Serbinë të shkojë shumë më vendoshmërisht drejt BE-së”, siç e cituan mediat serbe, përcjell Insajderi.
Për aplikimin e Kosovës në BE, Bilçik tha se duhet të pritet që Komisioni Evropian të del me vlerësim të tij, “por ne jemi të përkushtuar që i gjithë Ballkani Perëndimor të ketë të ardhme evropiane”.
Bilçik vlerëson se Kosova ka ende rrugë të gjatë deri në anëtarësim në BE.
“Ky proces merr vite, mbase një dekadë e mbase dy. Ju kujtohet kur Serbia dorëzoi aplikimin e saj, bisedimet i nisi pasa nëntë vitesh. Jemi larg anëtarësimit të Kosovës në BE, por krijon hapësirë për vazhdimin e negociatave”.
“Pa normalizim të marrëdhënieve, mendoj se është vështirë të flasim për të ardhmen evropiane të shumicës prej rajoneve. Gjithashtu, sinqerisht, Kosova po punon me ne shumë ngushtë në harmonizimin e pozicioneve kundër agresionit rus, dhe këtë gjë ne e presim edhe nga Beogradi”, ka thënë Vladimir Bilçik./Insajderi/