×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Birra, salmon, file pule”, minatorët në borxh për të blerë barna, menaxhmenti i Trepçës shpenzon para në dreka

    Insajderi
    07 August 2024 - 14:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Ishalla natën bile si dhem”, ishin fjalët që një minator kishte dërguar gruas së tij pasi nuk kishte ilaçe për t’i blerë fëmijës së tij të sëmurë. Por, përderisa minatorët nuk po kanë para as për gjera esenciale, në “Trepçë” me para të buxhetit po paguhen birra e salmon. Minatorët e Trepçës nuk kanë marrë pagat prej dy muajsh, për shkak të krizës financiare të kompanisë publike, teksa edhe puna ka javë që është ndalur.

    Gazeta Insajderi

    Minatorët janë në grevë që disa javë pasi nuk kanë marrë pagat e tyre. Shumë prej punonjësve edhe publikisht kanë treguar se gjendja e tyre financiare dhe e familjeve të tyre është rënduar dhe kanë hyrë në borxhe.

    Një minator, në kushte anonimiteti, kishte ndarë një bisedë me gruan e tij, ku bisedojnë për blerjen e disa ilaçeve për fëmijën e tyre të sëmurë.

    Ndërkohë nga Ndërmarrja publike “Trepça Sh.A”, janë arsyetuar se problemi është përformanca e ulët e prodhimit dhe humbjet e borxhet e grumbulluara.

    Por, përderisa minatorët janë në gjendje të vështirë financiare në këtë ndërmarrje janë duke u bërë harxhime për dreka.

    Gazeta Insajderi ka siguruar një faturë të menaxhmentit të bërë pikërisht në këta muaj e që del që pavarësisht që po operojnë në humbje nuk i kanë ndalur harxhimet.

    Në një drekë të datës 28.05.2024 menaxhmenti ka porositur edhe birra.

    Një faturë tjetër kanë porositur salmon, sallatë greke dhe supë peshku që kushtuan afro 50 euro.

    Sipas dokumentit që ka siguruar Gazeta Insajderi nga janari i këtij viti deri në qershor janë shpenzuar 900 euro për dreka.

    Qeveria e pranon se Trepça po operon me humbje, s’u jep kurrfarë shpresa minatorëve për paga


    Qeveria e Kosovës ka thënë se miniera e Trepçës është duke operuar me humbje. Ata kanë kërkuar nga kjo ndërmarrje publike që të ulin shpenzime dhe të rrisin prodhimet.

    Nëpërmjet një njoftimi të lëshuar paraditen e së enjtes, thuhet se ulja e shpenzimeve dhe rritja e prodhimit është mënyra e vetme për “kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

    Qeveria po ashtu përmend se Trepça është duke operuar me humbje.

    Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin”.

    Ekzekutivi s’ka përmendur datë se kur mund të ekzekutohen pagat e minatorëve të Trepçës.

    Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark