Është bërë publik transkripti i pjesshëm i bisedës telefonike midis policisë dhe personit të armatosur, i cili ka vrarë 49 veta në një klub nate në Orlando të Shteteve të Bashkuara.
Omar Mateen e ka idetifikuar veten si ushtar islamik dhe i ka thënë policisë se “është në Orlando” dhe se “ka shtënë”.
Ai po ashtu ka përmendur sulmet në Boston dhe ato në Francë gjatë bisedës me dispeçerin e policisë.
Mateen ka mbajtur të rrethuar klubin e natës “Pulse” për tre orë.
Ai është vrarë nga policia, pasi autoritetet kanë hyrë në ndërtesë.
FBI ka thënë të hënën se Mateen, 29 vjeç, ka folur dy herë me dispeçerin e policisë rreth 30 minuta pasi ka hapur zjarr brenda lokalit.
Mateen po ahstu i ka thënë policisë se Amerika duhet “të ndalojë bombardimet në Siri dhe në Irak” dhe se kjo është arsyeja “përse ai ndodhet atje”.
“Ka disa automjete jashtë që kanë bomba, vetëm ta dini”, ka thënë Mateen, duke aluduar në hapësirën përpara klubit të natës.
Mateen më vonë ka thënë se ka një jelek, duke shtuar se ai është i llojit me atë “që është përdorur në Francë”.
“Në ditët e ardhshme do të shihni aksione të tjera të tilla”, ka thënë Mateen para se ka ndërprerë telefonatën.
FBI ka thënë se nuk do të publikojë zërin e bisedave telefonike për shkak të respektit për viktimat dhe familjet e tyre./REL