Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e pesëshes së BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi i njëjti “nuk ka nënshkrim e as pronësi”.
Kjo përgjigje e tij vjen pas kërkesave të ndërkombëtarëve për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të përpiluar nga BE-ja.
Bislimi këtë draft e ka cilësuar si “artikuj gazetash” dhe se si të tillë nuk mund të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa kriteret për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës i quan të padrejta.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që Këshilli i Evropës i ka kërkuar nga Kosova. Edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka thënë Kosova e meriton të jetë anëtare e plotë sepse i plotëson të gjitha kriteret. Pastaj ka pasur kritere që kanë devijuar nga kërkesa e Komisionit Evropian të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare e Komisionit Evropian, siç është kërkesa për dërgimin e një drafti i cili nuk përben faktikisht as draft as dokument sepse as nuk ka nënshkrim as nuk ka pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë ky është drafte i joni. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione, as drafte që nuk kanë autorësi as pronësi në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se dialogu me Serbinë çështja e cila mund ta bllokoj Kosovën drejte proceseve integruese.
“Por dialogu është pjesë e marrëveshjes së stabilizim asocimit. Është dakorduar nga qeveritë parapake në momentin kur është dakorduar marrëveshja e stabilizim asociimit. Rrjedhimisht ajo do të jetë pjesë e vlerësimit tonë. Por nuk është diçka që bllokon integrimin. Sikur ne të kishim hapur kapituj, do të thuhej se kapituj nuk po mund të mbyllen për shkak se është ende tema e dialogut. Tek Serbia është më ndryshe sepse ata e kanë tekë kapituj 35 i cili mund të trajtohet vazhdimisht nëse mund të mbyllet një kapituj apo jo”, ka thënë ai. /EO/