Mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd.
Pas kësaj ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se kjo është dezinformat dhe ka ftuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të reagojë.
“Ftoj Lajçakun të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, shkruan ai në “X”.
Tutje, Bislimi ka thënë se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një takim të tillë duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës kryesisht për konsum politik të brendshëm”, ka thënë Bislimi në X.