Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar një sasi të mallrave të padeklaruara në pikën kufitare në Merdar. Sipas njoftimit, në autobusin që vinte nga Luksemburgu në Prishtinë janë zbuluar 468 copë bizhuteri dhe 6 kilogramë koncentrat për parfume.
“Gjatë kontrollit rutinor, shoferët e autobusit iu përgjigjën negativisht pyetjes së zyrtarëve doganorë nëse kishin ndonjë mall për të deklaruar. Pas një kontrolli më të detajuar, zyrtarët e Doganës zbuluan dy qese të fshehura në pjesën e pasme të kapakëve të autobusit. Në njërën qese u gjetën bizhuteri të padeklaruara, përkatësisht: 468 copë bizhuteri të ndryshme. Në qesen tjetër u gjetën shishe me koncentrat për parfume: 6 kg të koncentratit për parfume”, thuhet në njoftim.
Pas zbulimit të këtyre mallrave, është njoftuar pala se mosdeklarimi i tyre përbën shkelje dhe ndaj tyre thuhet se do të shqiptohet kundërvajtje doganore. Vlera e mallrave të ndaluara thuhet se është afër 1000 eurove.