×
Analiza

Bizneset e ndërmjetësimit të Martin Berishajt në Kosovë që nuk iu përmendën nga Qeveria kur u bë Ambasador

Insajderi
22 April 2022 - 14:29
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Martin Berishajt, figurës kryesore të një skandali financiar të publikuar në Slloveni u zyrtarizua si Ambasador i Kosovës në dhjetor të vitit 2021, as MPJ-ja e as Presidenca nuk ia përmendën bizneset që ai i ka. Derisa atij po i përmendet ndërmjetësimi me qindra-mijëra euro me para të një kompanie serbe të energjetikës, në Kosovë del që ai ka hise në së paku dy biznese, që për aktivitet kanë ndërmjetësimin

Insajderi

Martin Berishaj, Ambasador i Kosovës në Kroaci, është paguar qindra mijëra euro nga firma GEN, me bazë në Beograd, raportoi të enjten mediumi slloven Planet.tv.

Sipas këtij raportimi ai ka përfituar nga GEN’i serb një shumë pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Paratë, dyshohet se iu dhanë një politikiani slloven dhe ky raportim u bë tri ditë para zgjedhjeve në Slloveni.

Martin Berishaj, e ka mohuar dhënien e parave për politikanin slloven, por ai në publik ende nuk ka dhënë përgjigje se a mori para nga kompania GEN që është pjesë e rrjetit rajonal të tregtarëve të energjisë elektrike që së bashku me Rudnapin në pronë të Vuk Hamoviç si dhe EFT-në pronën e Vojin Lazareviç, kanë përfituar qindra miliona euro nga Kosova, Shqiperia, Mali i Zi e vendet tjera të rajonit.

Lidhja përmes tij dhe këtij skandali në Slloveni u bë përmes një firme të tij, sipas mediave sllovene, me emerin “MB Consulting”, e regjistruar në Mal të Zi.

Martin Berishaj, ka të regjistruar edhe në Kosovë një firmë për ndërmjetësim, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj. Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun  e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008 dhe adresën e ka në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.

Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.

Në dhjetor të vitit 2021 u zyrtarizua emërimi i tij ambasador i Kosovës në Kroaci. 

Një CV e karrierës dhe angazhimeve të tij nuk është publike në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në publik atij pas sgjedhjes i janë përshkruar shkollimi e angazhimet e tjera, por jo edhe bizneset. As bizneset që i ka të regjistruara në Kosovë, dhe as biznesi që iu përmend nga mediat sllovene. “MB Consulting” në Mal të Zi. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark