Po bëhen tre muaj që kur kanë filluar punimet për rregullimin e sheshit historik “Shatërvan” në Prizren, por ende nuk kanë përfunduar. Opozita pretendon se si pasojë e mospërfundimit të punimeve, bizneset për rreth janë duke u mbyllur. Dhjetra lokale kanë vendosur mbishkrime në dyer “lokali jepet me qira”. Shaqir Totaj i Prizrenit për Insajderin tha se edhe pse ka vonesa punimet po ecin mirë.
Gazeta Insajderi
Me 8 mars të këtij viti, Shaqir Totaj i PDK’së, kishte njoftuar se i kanë filluar punimet e shumëpritura për renovimin e sheshin historik “Shatërvan”, në Prizren.
Sipas njoftimit thuhej se faza fillestare e përfshin heqjen e një pjese të kalldrëmit të vjetër.
“Faza fillestare përfshin heqjen e një pjese të kalldrëmit të vjetër që e ka zbukuruar sheshin deri tani, duke i hapur rrugë një infrastrukture moderne nëntokësore, gjithmonë duke e ruajtur shkëlqimin arkitektonik të Prizrenit, si dhe do ta rrisë joshjen vizuale të sheshit “Shatërvan”, por, edhe do ta sigurojë qëndrueshmërinë e tij për brezat që do të vijnë”, kishte njoftuar Totaj përmes një postimi në Facebook, me 8 mars.
Mirëpo janë duke u bërë 3 muaj dhe këto punime nuk janë afër përfundimit, madje po iu shkaktojnë edhe telashe banorëve e bizneseve të asaj ane.
Siç ka pretenduar opozita në Prizren shume lokale afër Qendrës kanë filluar të mbyllen, si shkak i punimeve të papërfunduara.
Madje sipas pamjeve shihet dhjetra biznese që i kanë lëshuar lokalet e tyre me qera.
Sipas LDK’së në Prizren keq qeverisja po i detyron lokalet të mbyllen.
“Punët e papërfunduara dhe keqqeverisja e Prizrenit, detyrojnë shumë lokale të mbyllen Këto pamje nuk janë në periferi të qytetit, janë në qendër të qytetit, në shadërvan. Pamje të tilla kemi gati në çdo rrugicë të shadërvanit, me mbishkrime në dyer “lokali ipet me qira”. Krejt kjo gjendje shkaku i punëve të papërfunduara me muaj të tërë. Ky pushtet përveç nepotizmit, keqpërdorimit të parasë publike, punëve të dobëta dhe pa cilësi nuk e ka idenë si qeveriset me Prizrenit dhe të jetë krah bizneseve”, thuhet në reagimin e tyre.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totajn, se çfarë po ndodh me punimet dhe kur pritet të përfundojnë. Totaj e mohoj se janë duke u mbyllur lokale në qendrën e Prizrenit.
Ai tha për Insajderin se punimet edhe pse me vonesa janë duke shkuar mirë.
“Konstatimi juaj se shumë biznese jane duke u mbyllur fare nuk qëndron. Punimet janë në vijim e sipër dhe me pak vonesa mirë po shkon. Jane bërë përmirësime në infrastrukturën nëntokësore dhe po bëhen përmirësime në infrastrukturën tokësore për të cilat Shatërvani ka pas nevojë kohë më parë. Qendra e qytetit do të ketë një pamje akoma më të bukur pas përfundimit të punimeve“, deklaroi Shaqir Totaj, kryetar i komunës së Prizrenit.