Shumë nga bizneset në Kosovë ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve kompetente për t’u pajisur me arka fiskale.
Nga afër 150 mijë biznese të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri tash Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 29 mijë biznese, me mbi 32 mijë pajisje elektronike fiskale.
Zyrtarë në Administratën Tatimore të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se bizneset të cilat nuk pajisen me arka fiskale do të gjobiten.
Valentina Bytyçi – Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, tregon se së fundi kanë bërë edhe inspektimin e shumë bizneseve, ku disa prej tyre për shkak të mos pajisjes me arka fiskale janë gjobitur nga inspektorët.
“ATK së fundi ka ndërmarrë aktivitete në terren pas orarit të punës. Në fokus kanë qenë bizneset që zhvillojnë shërbime hoteliere, siç janë restorantet, hotelet, diskotekat, bar- restorante. Janë bërë mbi 2 mijë inspektime dhe janë gjobitur 675 biznese të cilat i janë shmangur fiskalizimit”.
“Këtu bëjnë pjesë edhe bizneset të cilat kanë arka fiskale, por që nuk kanë lëshuar kuponë fiskal, por edhe bizneset që përdorin printera jo fiskal, kur janë konfiskuara mbi 200 printera të tillë”, bënë të ditur Bytyçi – Sefa.
Betejën e pakompromis kundër evazionit fiskal disa herë e kanë e paralajmëruar zyrtarë qeveritar. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pati deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore, deri në 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit në arkën e shtetit.
Derisa, nga zyrtarë tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare disa herë është pranuar se evazioni fiskal arrin në 33 për qind.
Mos-fiskalizimi i të gjitha bizneseve nga përfaqësues të shoqatave ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve thuhet se ka shkaktuar konkurrencë të pabarabartë në tregun e Kosovës.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se procesi i fiskalizimit nuk ka shkuar ashtu si duhet dhe shumë biznese nuk i janë futur këtij procesi e që, sipas tij, ka bërë që ekonomia jo formale në Kosovë të jetë në nivel të lartë.
“Fiskalizimi në Kosovë është një nga problemet që prodhon pabarazi në treg në mes bizneseve të fiskalizuara dhe atyre të pa fiskalizuara. Për një kohë të gjatë disa sektorë kanë refuzuar të fiskalizohen e që kjo do të thotë se ka një marrëveshje të fshehtë mes institucioneve me disa biznese apo sektorë të bizneseve të caktuara për të mos u pajisur me arka fiskale”, vlerëson Shahini.
Për të ndihmuar procesin e fiskalizimit të bizneseve, në muajin prill të vitit 2015, në Kosovë kishte hyrë në fuqi një udhëzim administrativ, i cili kishte paraparë për të gjithë konsumatorët të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë, i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë.
Zyrtarë të ATK-së bëjnë të ditur se kjo kampanjë ka dhënë efektet e veta, por që sipas tyre, ka qenë e kushtueshme.
Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyçi – Sefa, ka bërë të ditur se që nga fillimi i aplikimit të këtij procesi e deri më tani janë rimburësuar afër 500 mijë qytetarë, të cilët kanë dërguar kuponët fiskal, me gjithsej mbi 7 milionë euro.
Një kampanjë e tillë pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, por për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe njerëzore, pritet të ketë ndryshime.
“Ne jemi të interesuar të vazhdojmë me një kampanjë e cila jep rezultate sa i përket procesit të fiskalizimit, mirëpo për të vazhduar një kampanjë e tillë, ATK-së i nevojitet fonde shtese dhe resurse njerëzore, diçka që po të kishte ATK-ja, në veçanti burimet njerëzore, do të merrej lirisht direkt me tatim paguesit dhe jo me një kampanjë të tillë”, tregon Bytyçi – Sefa.
Për parandalimin e të gjithë atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal, autoritetet kompetente kohë më parë kanë krijuar disa mekanizma dhe Task Forca të krijuara nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. (REL)