×
  • Lajme
  • Insajderi

    Biznesmeni i akuzuar për mashtrim në prokurim publik arrin marrëveshje për pranim të fajësisë

    Insajderi
    10 November 2021 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Gjakovë, të mërkurën, e ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur në mes të të akuzuarit për mashtrim në prokurim publik, Vllaznim Mazreku dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

    Mazreku po ngarkohet se si drejtor i kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, ka shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që me qëllim të mashtrimit në prokurim publik ka përdorur dokumentacionin e një personi tjetër, në mënyrë që të ndikonte në vendimin e Komunës së Malishevës në lidhje me një tender të lëshuar nga kjo e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurori Ali Uka i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë këtë marrëveshje për pranim të fajësisë, pasi tha se e njëjta ka mbështetje në dispozitat ligjore.

    Ai tha se dënimi për të cilin janë marrë vesh që të shqiptohet, të jetë dënimi me burgim prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro deri në 2 mijë e 500 euro, si dhe dënimi me gjobë në shumën prej 400 deri në 600 euro.

    Prokurori deklaroi se sipas marrwveshjes, ndaj të akuzuarit të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ashtu që t’i ndalohet kompanisë “Flamuri” Sh.p.k që të marrë pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik, me pronar të akuzuarin Mazreku.

    E mbrojtësi i të akuzuarit Mazreku, avokati Bajram Kryeziu tha se i mbrojturi i tij edhe në fazat e mëparshme e ka bërë pranimin e fajësisë, duke kërkuar nga gjykata që ta aprovojë këtë marrëveshje për pranim të fajësisë.


    Ndërsa, i dëmtuari, Arbnor Hetemi tha se ka marrë pjesë kur është arritur marrëveshja për pranim të fajësisë dhe se nuk kërkon kompensim dëmi, e as nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

    Gjykatësi Nikollë Komani e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur në mes të palëve, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 11 nëntor 2021.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Vllaznim Mazreku, në periudhën kohore gjatë muajit nëntor të vitit 2020, në cilësi të drejtorit të kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, me seli në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit, duke paraqitur dokumentacione të rreme, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues, Komunës së Malishevës.

    Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që në tenderin “Asfaltimi i rrugëve të fshatrave të komunës së Malishevës, Loti-1, Bellanicë, Ngucat, Balincë, Bubel dhe Loti-2 Carrallukë, Turjakë dhe Burim”, pa dijeni dhe pa autorizimin e tij ka përdorur dokumentacionin e Arbnor Hetemit, inxhinier i hidroteknikës, si kontratë mbi projektin, listë e stafit profesional, CV, kopjen e diplomës master, autorizimin për këtë projekt, edhe pse nuk ishte pjesë e kompanisë tenderuese “Flamuri Sh.p.K”.

    Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 1 i KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark