Agjencia Qendrore e Prokurimit të Kosovës -AQP ka shpërblyer me tender një kompani, pronari i të cilës është prangosur para disa ditësh për dallavere me tenderë. AQP-ja e cila kryen prokurimet e Agjencive të pavarura dhe disa institucioneve tjera të vogla e ka shpallë fitues kompaninë “A.R.F” sh.p për tenderin “Furnizim me materiale të shtypura dhe shërbimet e dizajnimit për nevojat e Agjencive te Pavarura”.
Ky tender është kornizë për 36 muaj dhe kompania ka fituar dy pjesët e tenderit në një vlerë prej 55 mijë euro.
Më 10 shkurt, Policia në Gjilan kishte njoftuar se janë arrestuar katër persona për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik”. Tre prej tyre ishin zyrtarë të komunës së Kamenicës e një ishte biznesmen. Bëhet fjalë për zyrtarët Pëllumb Jashari, Ismajl Zubaku, Florim Demolli dhe biznesmeni Avdi Koca, i cili është pronar i kompanisë “A.R.F”, që doli fitues sot edhe për dy kontrata nga AQP-ja.
Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga AQP-ja lidhur më atë se si ka ndodhur që të shpërblehet kompania, pronari i të cilës është nën hetime dhe vetëm para pak javësh ka qenë në burg nën pretendimin për dallavere me tender.
Nga AQP kanë dërguar një dokumente, sipas të cilit dëshmohet se pronari, as kompania nuk janë të dënuar, dhe se kjo sipas Ligjit është e lejueshme të fitojnë kontrata, pasi i kanë përmbushë edhe kërkesat tjera.
“Referuar kërkesës suaj në lidhje me operatorin ekonomik ARF SH.P.K për aktivitetin e prokurimit- Furnizim me materiale të shtypura dhe shërbimet e dizajnimit për nevojat e Agjencive te Pavarura-ju njoftojmë se bazuar ne nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik para rekomandimit për dhënie të kontratës kemi kërkuar dokumentet e pranueshmërisë -vërtetimin e gjykatës konform obligimit ligjorë dhe i njëjti ka sjellë dokumentin te cilin e keni të bashkëngjitur”, thuhet në përgjigjen e AQP-së, të cilët e kanë bashkëngjitur edhe dokumentin e Gjykatës se nuk ka dënim.
Prokuroria Themelore në Gjilan më 10 shkurt ka njoftuar se ndaj Kocës, Jasharit dhe Demollit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se Koca ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënie të kontratës së prokurimit publik me titull “Furnizim me dollapë për shkolla” në komunën e Kamenicës, pasi nuk i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata me përfitim për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës në shumë 35.731.50 euro.
Me këto veprime, dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Ndërsa, të pandehurit P.J., I.Z. dhe F.D., më 13 Nëntor 2020, kanë keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që pa u siguruar lidhur me sigurimin dhe pranimin e mallit kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit në tenderin e lartshënuar, ku pa e pranuar mallin në kundërshtim me ligjin i kanë transferuar mjetet prej 35.731.50 € operatorit ekonomik ARF SHPK – Fushë Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
Në këtë mënyrë, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ të KPRK-së.
Por, Gjykata Themelore në Gjilan, pasi ata kishin qëndruar për 48 orë në paraburgim, e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit dhe të pandehurve iu ka caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi. Periskopi është në pritje të një përgjigje nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilani për të mësuar se a është ngritur aktakuzë në këtë rast, apo deri ku kanë shkuar hetimet.
Rëndom, kontratat për kompaninë “A.R.F” i nënshkruan pronari i kompanisë, Avdi Koca, i cili sipas ARBK, figuron të jetë edhe drejtor në kompani. Mbetet të shihet se kush do e nënshkruajë këtë kontratë, pasi që Gjykata Themelore në Gjilani ka urdhëruar që të dyshuarve të u konfiskohen edhe dokumentet e udhëtimit.