Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë fantazma e veriut e ka ndjekur pas Kosovën. Asnjëherë nuk e ka lëne të qetë. Ia ka pamundësuar konsolidimin dhe funksionimin.
Është iluzore të thuhet se kriza aktuale e ka përkeqësuar procesin integrimit të banorëve serbë të komunave veriore në kuadër të sistemit kushtetues dhe politik të shtetit të Kosovës. Në fakt kjo krizë, sikur tjerat para saj, vetëm na ka zhveshur edhe më shumë nga iluzionet, se ai rajon ishte duke u integruar.
Ajo që Kosova duhet të ketë kujdes është vetëm që të mos e humb përkrahjen ndërkombëtare për zgjidhjen eventuale të kësaj krize, dhe se jo që e ka përkeqësuar gjendjen në terren. Sepse zhvillimet aktuale e kanë pasqyruar saktësisht atë se çfarë dominonte gjendja tash e sa kohë.
Siç dihet në funksion të integrimit të asaj pjese në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës dhe normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve, Prishtina dhe Beogradi, kanë dialoguar njëra me tjetrën me ndërmjetësimin e BE-së për më shumë se një dekadë. Dhe sikur ai dialog të kishte qenë i suksesshëm nuk do vinim në situata të tilla sikur kjo që erdhëm tani dhe që ka shumë gjasa të na përsëriten në vazhdimësi.
Mbase pamundësia për ta zgjidhur këtë nyje gordiane, kishte ndikuar në fund që edhe vetë ish-mbartësi kryesor i procesit negociator nga pala kosovare, ish-presidenti Hashim Thaçi, të kërkonte alternativa tjera për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet dy vendeve, sikur ai për këmbimin e territoreve, apo korrigjimin e kufirit. Sepse në qofte se procesi ishte duke shkuar në kahe të duhur, atëherë pse ai do ta hapte një temë të tillë?
Por, pikërisht mbase përvoja e akumuluar e ndërgjegjësuan atë se asgjë nuk ishte arritur në atë dialog. Se ai ishte një proces i dështuar, dhe se vetëm sa i kishte shtuar iluzionet se serbët lokalë në atë pjesë do ta pranonin shtetin e Kosovës. Pra në fakt ata jo vetëm që nuk do ta pranonin, por vetëm sa do të fitonin leva tjera shtesë për ta minuar atë edhe më shumë nga brenda.
Natyrisht, kjo temë u margjinalizua si për arsyeje të brendshme ashtu edhe të jashtme, që dihet nga të gjithë ne. Mirëpo, adresimi i saj tregon se edhe kriza aktuale nuk ka shënuar kurrfarë prapakthimi. Por, vetëm se e ka rikonfirmuar gjendjen në terren.
Këtë fakt e kishte potencuar në një studim për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit edhe një qendër e rëndësishme hulumtuese në Uashington, sikur se Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në studimin e saj “Relaunching the Kosovo-Serbia Dialogue”.
Në këtë vështrim analitik ky Think Tank pohonte se sfida kryesore e këtij procesi mbetet ai i komunave në veri të Kosovës. Komuniteti serb që jeton atje ka refuzuar të integrohet në institucionet e Kosovës sipas Planit të Ahtisarit.
Kështu, pyetja se kush do i qeverisë ato komuna, pas sabotimit që ato i kanë bërë në vazhdimësi stabilizimit të shtetit të Kosovës, është imponuar si temë e patejkalueshme e procesit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit? Ngase që nga fillimi ato janë ndikuar nga Beogradi, çfarë dhe e ka shndërruar atë rajon në vatër permanente të shpërthimeve. Madje edhe kur për shkak të presionit ndërkombëtar, Serbia u detyrua ti mbyll strukturat paralele, në fakt kishte ndryshuar vetëm forma e ndikimit dhe jo mënyra.
Prandaj, sipas kësaj organizate mundësia e arritjes së një marrëveshje dukej iluzore në këto kondita. Kështu, hartuesit e këtij studimi rekomandonin tri opsione si mundësi për shtegdalje nga kjo krizë. E para, nëse në këmbim të njohjes Serbia përfiton një infizuon të madh financiar nga Brukseli dhe një proces të përshpejtuar për integrim. E dyta një autonomi shtesë politike, ekonomike dhe territoriale për serbët. Dhe e treta shkëmbimin e territoreve. Mirëpo marrë parasysh dinamikat e brendshme të BE-së si dhe narracionin mitik identitar serb e para dukej e pamundur. Kurse dy të tjerat për shkak të problemeve të brendshme politike në Kosovë nuk gëzonin mbështetje konsensuale. Madje ky trup nuk la pa i qortuar as disa vende të BE-së se pse nuk ishin treguar më fleskbile edhe për opsionin e tretë.
Në këtë kontest, mbase kjo krizë vetëm sa dëshmoj edhe një herë se asgjë nuk është arritur përmbajtësisht tash e sa kohë në dialogun e Brukselit. Se gjendemi brenda të njëjtit rrethi vicioz. Dhe se duhet të ballafaqohemi përsëri me opsionet e sipërcekura si kusht për ta zhbllokuar procesin e ndërkombëtar të Kosovës dhe stabilizimin e brendshëm të shtetit. A do të arrihet kjo, mbetet të shihet? Apo do të vazhdojë të agravohet gjendja edhe më shumë nga flaka e veriut?
Krizat shpeshherë dinë të jenë momente vendimtare në politikë. Ato mund ta shndërrohen në “mami” për një lindje të re. Por edhe ta përkeqësojnë realitetin në një gjendje pa kthim. Kosova sot ndodhet ndërmjet këtyre dy situatave. Mirëpo, gjeanologjia e kësaj gjendje është produkt i një procesi të gjatë të dështuar politik.