Blerim Syla, ish-drejtuesi i Sindikatës së Mjekëve të Kosovës, ka thënë ekskluzivisht për Gazetën Insajderi, se largimin e tij nga federata ka pasur dorë një parti opozitare.
“Është e çuditshme se si një parti opozitare me ndërhy në mënyrë të tillë – përmes lobimit dhe presionit në disa regjione, sidomos në atë të Ferizajt që ta vendos dikë, në pozitën që kisha unë”, ka thënë Syla për Gazetën Insajderi.
Ai ka treguar se me pas qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, më pas vetëm ia ka bërë aminin kërkesës së opozitës.
“Pushtetit i ka konvenuar largimi im, Kurti ka dalë haptazi në Kuvend për rrëzimin tim nga drejtimi i Sindikatës”, tha Syla për Gazetën Insajderi.
Ky veprim, sipas Sylës tregon për qëndrimin e politik-bërjes në vend.
“Kjo po tregon, që politika ka qenë e interesuar që ta shkatërrojë Sindikatën e Shëndetësisë, që në vlugun e reagimit sindikal të BSPK-së ata heshtin, dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim”, ka thënë Syla, duke iu referuar udhëheqësish së re të BSPK-së.
Lexo edhe:
Heshtja e Sindikatës së Mjekëve kritikohet nga ish-udhëheqja e zëshme
Blerim Syla, ish-kryetari i Federatës së Mjekëve të Kosovës, e ka kritikuar udhëheqjen e tanishme të Sindikatës.
“Këta siç duket e kanë fut kokën në zall, dhe nuk dojnë më lëvizë. Është për të ardhur keq, se me të vërtetë Federata e ka pas një za shumë të rëndësishëm, por ja që sot në krizën kur po ikin mjekët, kur spitalet po shkatërrohen – se kemi asnjë zë, normalisht që kjo i konvenon secilës qeveri, e sidomos kësaj qeverie”, ka thënë Syla për Gazetën Insajderi.
Ai ka thënë se ka mjaftuar vetëm një takimi që udhëheqësja e re, Tevide Imeri, e pati me kryeministrin Albin Kurti, që ajo te heshti para kërkesave të mjekëve.
“Vetëm një takim me z. Kurti, dhe më asnjë deklaratë – apo iniciativë sa i përket Ligjit për Pagat i cili Ligj nuk ka ndryshuar asgjë, sidomos sa i përket infermierëve. Kjo po tregon, që politika ka qenë e interesuar që ta shkatërrojë Sindikatën e Shëndetësisë, që në vlugun e reagimit sindikal të BSPK-së ata heshtin, dhe nuk kemi asnjë veprim”, ka thënë tutje Syla për Gazetën Insajderi, duke zbuluar se “as kontrata kolektive nuk është duke u zbatuar, pra po shkelen të drejtat e punëtorëve, dhe asnjë deklaratë nuk e kemi nga sindikata”.
Derisa udhëheqësja e Sindikatës, ka thënë se në takimin që e ka pasur me kryeministrin e Kosovës, i ka renditur të gjitha problemet që ajo i përfaqëson, por sipas saj “gjërat nuk mund të zgjidhen me magji, brenda 24 orësh”.
“Nuk kam qejf me u merr me deklaratat e ish-udhëheqjes, unë i kam kolegë janë qëndrime të tyre personale, ose të grupit të vet. Është mendim i tyre, unë mendoj që jemi tu punu maksimalisht në këtë drejtim”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.
Në të kaluarën, Sindikata e Mjekëve të Kosovës, e ka ngritur zërin për shumë çështje, duke mbajtur edhe greva disa javore, ndërsa tash – kur numër i madh i mjekëve e kanë lënë Kosovën, dhe kur në diskutim është Ligji i Pagave – e njëjta është duke heshtur, madje ka refuzuar të jetë edhe pjesë e grevës së përgjithshme të BPSK-së.
Udhëheqësia e re e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është zgjedhur në muajin prill. Kundër saj ka dalë ish-drejtuesi Blerim Syla, që sipas tij “zgjedhja ka qenë jolegjitime.
“Unë kam bë kallëzim penal, rasti është në Prokurori, unë shpresoj shumë në Prokurori – që të marrin vendim për masë të përkohëshme”, ka zbuluar Syla për Gazetën Insajderi, që sipas tij “kryesia aktuale përbëhet nga njerëz që janë apsulutisht joprefisonalë”.
Derisa, Imeri i ka thënë Gazetë Insajderi se zgjedhja e saj “nuk ka ka të bëjë me asnjë lloj shkeljeje”.
“Ata kanë bë një kallëzim penal në Prokurori, ku kanë lyp edhe masa të përkohshme, unë nuk kisha dasht me u lëshu në deklarata sepse i kam kolegë, dhe i respektoj – ata e kanë quajt jo legjitime, janë duke e prit vendimin e gjykatës, ndërsa ne po punojmë”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi./Gazeta Insajderi/