Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi ka përkrahur kandidatin e VV në Shtime Qemajl Aliun duke thënë se vendlindja e tij ka shumë nevojë për njerëz si ai.
“Vendosi ta linte Tiranën, dhe bashkë me gruan nga Fieri dhe vajzën 2 vjeçare janë transferuar familjarisht në Shtime për të realizuar transformimin e shumëpritur nga qytetarët”, shkruan Abazi.
Statusi i plotë:
15 vjet aktivist i Lëvizjes VETËVENDODJE!, miku, doktori Qemajl Aliu po kandidon si kryetar komune në zgjedhjet lokale në Shtime, vendlindjen e tij që ka aq shumë nevojë për njerëz si ai, me dije e profesionalizëm, me përkushtim e integritet. Qemajlin e njoh prej vitit 2010. Ai ka mbaruar studimet në Tiranë për mjekësi dhe ka kryer më tej specializimin në Gjermani. U kthye në Tiranë për të punuar mjek internist në Spitalin Shefqet Ndroqi ku ka shërbyer me vetëmohim, veçanërisht gjatë pandemisë, duke shpëtuar me mijëra jetë.
Qemajlin e thirri Lëvizja, aktivistët dhe qytetarët e Shtimes të kthehej e të kandidonte në vendlindje për të rrëzuar pushtetin 20 vjeçar të një kryetari të vjetër komune të zhytur në korrupsion. Ai iu përgjigj thirrjes pa kërkuar asgjë në shkëmbim. Vendosi ta linte Tiranën, dhe bashkë me gruan nga Fieri dhe vajzën 2 vjeçare janë transferuar familjarisht në Shtime për të realizuar transformimin e shumëpritur nga qytetarët. Sakrifica si këto i bëjnë vetëm njerëz idealistë e të guximshëm, por Qemajli nuk i përmend sepse ai është modest dhe e di se në Lëvizje aktivistët kanë dhënë edhe jetën. Qemalji do na mungojë në Tiranë, por çfarë fati për Komunën e Shtimes!