Hysen Hundozi, i cili sapo është emëruar si ushtrues detyre i drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i cili jo rrallë herë barrikadohej pro ministres, Donika Gërvalla, është shfaqur shpesh në rrjete sociale me kritika të ashpra ndaj udhëheqësve të këtij institucioni.
Një nga statuset e tij të kaluara përmban akuza ndaj ish-kryesuesit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletinit, ku e cilëson atë si “personin më të padëshiruar në RTK,” duke cituar një peticion të nënshkruar nga 361 punëtorë që kërkonin largimin e tij.
Sipas Hundozit, përveç mungesës së aftësive dhe përvojës profesionale, Boletini kishte treguar një qëndrim shantazhues dhe ofendues ndaj stafit, sidomos ndaj grave.
“Boletini është dëshmuar edhe si një shantazhues e ofendues aktiv i stafit të RTK-së, sidomos të gjinisë femërore,” shkroi Hundozi.
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) njoftoi sot se ka emëruar Hysen Hudozin ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm.
Bordi ka njoftuar se Hudozi punon në RTK prej vitit 2002 dhe ka mbajtur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale.
“Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e Bordit.