×
  • Lajme
  • Lajme

    Bordi shkarkon Kryeshefin e Trepçës, gjykata anuloi vendimin për përzgjedhjen e tij

    Insajderi
    03 August 2024 - 08:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bordi i Ndërmarrjes “Trepça Sh.A” ka shkarkuar Kryeshefin Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Bashkim Kurtin.

    Kjo ka ardhur si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila ka anuluar vendimin për përzgjedhjen e Kurtit si Kryeshef.

    “Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. njofton opinionin e gjerë publik se ka qenë i përkushtuar në përzgjedhjen e kandidatit më të përgatitur dhe profesional për të udhëhequr ndërmarrjen Trepça Sh.A., natyrisht duke respektuar kushtet dhe kriteret e përshkruara në shpalljen publike.  Megjithatë, Bordi Mbikqyrës është i prirur të respektojë vendimet e gjyqësorit dhe si rrjedhojë në takimin e mbajtur me datë 02.08.2024, bazuar në Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë  C.nr.661/24 ka anuluar e Vendimin e datës 11.01.2024 për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv.  Me këtë rast, ka liruar nga detyra Kryeshefin Ekzekutiv z. Bashkim Kurti”, thuhet në njoftim.

    Në vend të tij, ushtrues detyre është emëruar Faton Ahemti, që deri tash ishte duke e ushtruar pozitën si zëvendës.

    “Bordi Mbikëqyrësi i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. ka falënderuar z. Bashkim Kurti për angazhimin dhe kontributin e  dhënë përgjatë kësaj periudhe shumë të rëndësishme për ndërmarrjen Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, ndërmarrja gjendet në situatë të rëndë financiare. Minatorëve nuk u kanë dalë pagat qe dy muaj.

    Kryeshefi tashmë i shkarkuar ka deklaruar mbrëmë se ka pasur një takim me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin dhe se sipas tij, pagat pritet të dalin gjatë javës së ardhshme.

    “Ne kemi takime të rregullta në baza ditore. Sot jemi takuar me ministren Rizvanolli dhe kryesuesin e bordit për sqarime shtesë dhe po besoj se në fillim të javës së ardhshme do dalin pagat dhe minatorët do t’i kthehen punës”, ka thënë Bashkim Kurti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark