×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Borell tregon si mund të evitohen masat kundër Kosovës dhe Serbisë

    Insajderi
    27 June 2023 - 12:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një organ i përhershëm brenda BE-së që merret me çështjet e politikës së jashtme dhe ato të sigurisë sot do të nisë t’i shqyrtojë masat e mundshme në rast se nuk përfillen kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri.

    Nga sot, Komisioni për Politikë dhe Siguri do të shqyrtojë se çfarë veprime mund të merren në rast se Kosova dhe Serbia nuk i pranojnë kërkesat e Bashkimit Europian për shtensionimin e situatës.

    Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell njoftoi për këtë të hënën, pas një diskutimi të gjatë me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të bllokut europian.

    “Nga nesër, Komisioni për Politikë dhe Siguri do të fillojë të shqyrtojë se çfarë veprimesh mund të ndërmerren në rast se, në fund, nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, tha Borrell të hënën. Masat, tha ai, do të jenë “politike dhe ekonomike”.

    Borrell tha se me ministrat u pajtuan që në veri duhet të mbahen zgjedhjet e reja, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve.

    “Shtetet anëtare, dua ta theksoj, shtetet anëtare nënvizojnë shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës”, tha Borrell.

    Tutje ai tha se s’do të ketë nevojë të merren masa, në rast se arrihet të shpallen dhe të mbahen zgjedhjet e reja në veri.

    “Fatkeqësisht, nuk mund t’ju përgjigjem sepse kjo është puna që – siç thashë më parë – duhet të bëjë Komisioni për Politikë dhe Sigurisë. Komisioni do ta fillojë punën për këtë temë”, tha Borrell kur iu kërkua të ishte më i saktë se për çfarë masash bëhet fjalë dhe nëse masat do të jenë si për Kosovën, si për Serbinë.

    “Është e qartë se masat do të jenë, siç thashë, politike dhe financiare, por duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme. Dhe kjo varet nga çfarë vendosin shtetet anëtare. Janë shtetet anëtare që do t’i marrin ato në varësi të ngjarjeve. Nëse arrijmë t’i shpallim zgjedhjet dhe bëhen këto zgjedhje dhe popullata merr pjesë dhe ne mund t’i legjitimojmë kryetarët e komunave, nuk do të kemi nevojë të marrim masa”, tha Borrell.

    Kërkesa e BE-së dhe SHBA-së për Kurtin është që të mbahen zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit.

    Kurti pajtohet me këtë të fundit, por jo edhe me kërkesat tjera të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës.

    Kurti ua ka paraqitur atyre kërkesat e veta, të cilat ia ka dërguar edhe kreydiplomatit europian, Josep Borrell, nga i cili mori përgjigje negative.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark