Kompania regjionale KRM “Uniteti”, e cila merret me mirëmbajtjen e rrugëve dhe largimin e mbeturinave, ka marrë masa ligjore ndaj komunës së Vushtrrisë, pasi që nuk ua kanë paguar borxhin prej 107 mijë euro.
Sipas njoftimit të kompanisë, kanë pritur mbi gjashtë muaj, që komuna e Vushtrrisë t’ua paguaj borxhin por, nuk u kanë kthyer asnjëherë përgjigje.
Kështu kompania ka vendosur që ta dërgojë në përmbarim Komunën e Vushtrrisë.
“Pas shumë kërkesave drejtuar për pagesë të borgjit ndaj KRM “Uniteti”, Komuna e Vushtrrisë nuk ka reflektuar dhe nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje zyrtare. Duke e pasur parasysh se borgji prej 107 mijë është i vitit 2023 dhe KRM “Uniteti” ka pritur mbi 6 muaj, sot kemi vendosur që ta dërgojmë në përmbarim Komunën e Vushtrrisë”.
Tutje në njoftim thuhet se komuna e Vushtrrisë shërbimin e menaxhimit të mbeturinave nga 1 janar 2024 ia ka dhënë një kompanie tjetër pa asnjë paralajmërim.
“Duke qenë njëra prej aksionarëve/pronarëve të kompanisë, Komuna e Vushtrrisë përveç që shërbimin e menaxhimin të mbeturinave nga 1 janar 2024 ia ka dhënë një kompanie tjetër pa asnjë paralajmërim zyrtar, veprimet e dëmshme ndaj KRM “Unitetit” i ka vazhduar edhe në muajt vijues duke mos e paguar borgjin, ndërsa në anën tjetër i ka dhënë qindra-mijëra subvencione kompanisë “Përparimi”.
Pra, të gjendur para kësaj situate jo të mirë, KRM “Uniteti” ka vendosur të marrë masa ligjore, duke e dërguar në procedurë përmbarimore Komunën e Vushtrrisë“, thuhet në njoftimin e KRM “Uniteti”.