Borxhi i pretenduar paraqet një nga sfidat me të cilat ballafaqohet kombinati metalurgjik “Trepça”. Bëhet fjalë për borxhin e pretenduar nga kreditorë të ndryshëm, që është krijuar gjatë viteve të 90-ta, periudhë kjo kur ky kompleks ishte udhëhequr nga autoritetet e atëhershme serbe.
Ky borxh ka ndryshuar në shifra vit pas viti, duke nisur nga disa milionë e përfunduar në miliarda euro. Kurse, si pretendentë për t’i marrë paratë, që thuhet se janë investuar në Trepçë, kishin dalë firma nga Bullgaria, Greqia, Serbia, e për një kohë edhe nga Franca.
Të gjitha këto pretendime, sipas ish-udhëheqësve të Trepçës, mund të jenë manipulime të ish-regjimit të Beogradit që datojnë që nga koha e Sllobodan Milosheviqit.
Aktualisht, autoritetet e Kosovës nuk japin shumë hollësi rreth numrit të kreditorëve dhe nivelit të borxheve. Por, ata thonë se për këtë borxh deri më tani ka vetëm pretendime.
Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, në një intervistë dhënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk dihen saktë borxhet, por pretendohet se borxhet e Trepçës karshi kreditorëve janë rreth 1.7 miliard euro.
Megjithatë, në bazë të një analize të bërë nga AKP gjatë këtij viti, thuhet se niveli i borxhit është shumëfish më i vogël se sa pretendohet prej kreditorëve të ndryshëm.
“Procedurat për përcaktimin e nivelit të borxhit ose analiza e kreditorëve, që ne i themi, pretendimet së paku janë se borxhet e Trepçës karshi kreditorëve janë diku rreth 1.6 ose 1.7 miliard euro. Ne e kemi bërë një analizë në muajin prill për borxhet e pretenduara karshi “Trepçës”.
“Është vetëm një analizë e brendshme, që ne nuk kemi dashur ta bëjmë publike, sepse është dizajnuar për nevojat tona dhe e kemi ndarë edhe me akterët tjerë që janë përfshirë në “Trepçë”. Pra, sipas analizave tona, që në asnjë mënyrë nuk janë përfundimtare, niveli i borxhit është shumëfish më i vogël se sa pretendohet prej kreditorëve të ndryshëm”, ka thënë Gashi.
Kohë më parë, në adresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishin arritur disa kërkesa të kreditorëve pretendues, por që ende nuk është publikuar numri i pretendueseve dhe as shumat sa kërkojnë.
Ish-drejtori i Trepçës, Halil Qela, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për kreditorët të cilët ishin paraqitur në atë kohë. Ai flet edhe për shifrat e ndryshme që janë paraqitur, si borxhe të pretenduara.
“Menjëherë pas luftës na është thënë që borxhi është diku rreth 40 milionë dollarë, por vit pas viti, duke i bërë presion Trepçës, ajo vlerë është rritur në miliardë.”
“Shtrohet pyetja çka po ndodh, kush janë ata që ka bërë vlerësimet e këtyre kredive të pretenduara?! – Dihet se ato kredi janë bërë në kohën e okupimit dhe si të tilla nuk ka ndodhur asnjë investim, janë kredi të manipuluara nga ish qeveria e Sllobodan Millosheviqit dhe po keqpërdoren edhe sot”, ka theksuar Qela.
Kreditorët pretendentë të Trepçës, që siç thotë Qela, janë paraqitur gjatë viteve të pasluftës, kanë qenë kompani nga Bullgaria, kompani greke, serbe dhe një kompani franceze, e cila më pas ishte tërhequr.
Me vite të tëra, tregon Qela, janë bërë presione për këto borxhe të pretenduara, për shkak se, siç thotë ai, autoritetet kompetente nuk janë ulur ta shqyrtojnë këtë çështje dhe të tregojnë se sa është borxhi.
Puna në kombinatin metalurgjik Trepça, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës, që prej viteve të 90-ta, ka qenë me kapacitet të pjesshëm, për shkak të zhvillimeve të atëhershme politike, nën regjimin e pushtetit serb.
Nisur nga e gjithë kjo, thotë ish-drejtori i Trepçës, Halil Qela, kombinati mund të ketë borxhe, por para viteve të 90-ta, dhe se këto janë borxhe të vogla.
“Institucionet kompetente – AKP-ja, Kuvendi i Kosovës, udhëheqësit e Trepçës – duhet të ulen dhe të shohin, në mënyrë që të japin saktë sa janë ato borxhe, nëse veç janë. Unë garantoj se ato borxhe janë shumë të vogla që nuk duhet të ketë frikë as Qeveria e as Kosova”, thotë Qela.
Ai tregon se pas luftës ka qenë Qeveria e Kosovës e cila në kombinatit Trepça ka investuar mesatarisht 100 milionë euro në vit. Këto investime janë bërë në emër të hapjes së horizonteve të reja, thellimit të minierës, si dhe për ndarjen e pagave dhe pensioneve të parakohshme të punëtorëve të Trepçës.
Pretendimet e kreditorëve janë përfshirë në Ligjin për Trepçën, të miratuar ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës.
Aty thuhet se pretendimet kreditore ndaj njësive biznesore të krijuara deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në cilësinë e administratorit dhe nga Dhoma e Posaçme.
“Të gjitha detyrimet e vërtetuara me vendim të plotfuqishëm të Dhomës së Posaçme lidhur me pretendimet kreditore ndaj këtyre njësive biznesore, kompensohen sipas legjislacionit në fuqi për ndërmarrjet shoqërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në Ligjin për Trepçën. (REL)