“Boss i një grupi kriminal”- reagon Fanol Krasniqi, avokati i Shemsi Bahtirit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Boss i një grupi kriminal”- reagon Fanol Krasniqi, avokati i Shemsi Bahtirit

    Insajderi
    05 June 2025 - 14:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fanol Krasniqi, avokati i Shemsi Bahtirit, të arrestuarit në një operacion të quajtur “Qielli i Hapur”, ka bërë një reagim publik lidhur me referimet në media të Bahtirit si “boss i një grupi kriminal”.

    Krasniqi në një deklaratë ka thënë se nuk ekziston ky pretendim askund në aktet zyrtare të prokurorisë Speciale dhe është “shpikje mediatike”.

    “Nuk po kërkoj trajtim të veçantë. Po kërkoj drejtësi, drejtësi të pastër, pa paragjykime politike, pa presion publik dhe pa fabulime mediatike. Nëse ndonjëherë provohet me fakte dhe prova reale përfshirja e z. Shemsi Bahtiri në ndonjë vepër penale, unë publikisht do të tërhiqem nga përfaqësimi i tij dhe do të shqyrtoj seriozisht tërheqjen nga profesioni i avokatit”, ka thënë ndër të tjera ai.

    Reagimi i plotë:

    Në cilësinë e avokatit të Z. Shemsi Bahtiri!

    Në cilësinë e avokatit mbrojtës të z. Shemsi Bahtiri, ndjej obligim profesional dhe etik të reagoj publikisht ndaj mënyrës së padrejtë dhe të manipuluar se si ky rast po trajtohet në opinionin publik, si nga institucionet, ashtu edhe nga një pjesë e mediave.

    Prokuroria Speciale, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që ta lidhë drejtpërdrejt z. Bahtiri me ndonjë aktivitet kriminal. Për më tepër, përshkrimi i kërkesës së Prokurorisë është i përgjithshëm dhe i paqëndrueshëm në substancë.

    Megjithatë, një pjesë e mediave, me një papërgjegjësi të rëndë profesionale, kanë shpërndarë tituj  të pavërtetë, duke e paraqitur z. Bahtiri si “boss të një grupi kriminal”. Dua të jem shumë i qartë: ky pretendim nuk ekziston askund në dyshimet-zyrtare të Prokurorisë. Është një shpikje e pastër mediatike që synon linçimin publik dhe njollosjen e imazhit të një qytetari për të cilin nuk ekziston asnjë provë konkrete.

    Bazuar në analizën time si avokat i z. Bahtiri dhe në përmbajtjen të kërkesës së Prokurorisë, konstatoj se paraburgimi ndaj tij është vendosur në mënyrë INDIREKTE mbi dy lidhje që nuk mund të konsiderohen as provë, as argument juridik:

                    1.            Që është baba i një të dyshuari me emer Brilant Bahtiri në këtë rast;

                    2.            Që është shok dhe i afërt me disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pa qenë vetë pjesë apo aktivist i këtij subjekti.

    Nëse gjatë ndonjë hetimi ndaj djalit të tij Brilant Bahtiri – i cili është subjekt i veçantë në këtë çështje – z. Bahtiri është takuar me të, qoftë edhe nën masa të fshehta të ndjekjes, atëherë shtrohet pyetja thelbësore: Ku është krimi këtu?

    A është bërë ndonjë veprim i jashtëligjshëm vetëm pse një baba është takuar me birin e tij(Brilant Bahtiri)? A mund t’i mohohet një babai e drejta për të takuar fëmijën e vet, pa ditur nëse ai është apo jo nën hetim?

    Askush nuk ka të drejtë ta deformojë apo ndalojë marrëdhënien natyrore, njerëzore dhe të pandashme mes babait dhe birit. Kjo është një lidhje që as ligji, as morali, as shoqëria nuk mund ta bëjnë objekt ndëshkimi.

    Nuk po kërkoj trajtim të veçantë. Po kërkoj drejtësi, drejtësi të pastër, pa paragjykime politike, pa presion publik dhe pa shtremberime mediatike. Nëse ndonjëherë provohet me fakte dhe prova reale përfshirja e z. Shemsi Bahtiri në ndonjë vepër penale, unë publikisht do të tërhiqem nga përfaqësimi i tij dhe do të shqyrtoj seriozisht tërheqjen nga profesioni i avokatit.

    Por derisa nuk ka asnjë provë, dhe derisa po trajtohet vetëm si baba i dikujt dhe shok i dikujt, ky rast është një dështim i rëndë i sistemit të drejtësisë dhe një abuzim mediatik i dëmshëm.

    Të jesh baba nuk është krim. Të jesh mik i dikujt nuk është bazë për ndalim. Të jesh i pafajshëm, derisa të vërtetohet e kundërta – kjo është e drejtë themelore, jo privilegj. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark