Bota regjistron marsin më të nxehtë në histori - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Bota regjistron marsin më të nxehtë në histori

    Insajderi
    09 April 2024 - 09:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bota përjetoi marsin e saj më të ngrohtë në histori, tha të martën Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

    Në fakt, secili nga 10 muajt e fundit u rendit si më i nxehti ndonjëherë, krahasuar me muajt korrespondues të viteve të mëparshme, thuhet në buletinin e tij mujor.

    Dymbëdhjetë muajt që përfunduan me marsin, u renditën gjithashtu si periudha më e nxehtë 12-mujore e regjistruar ndonjëherë në planet.

    Nga prilli 2023 deri në mars 2024, temperatura mesatare globale ishte për 1.58 gradë Celsius mbi mesataren e temperaturës në periudhën para-industriale, nga viti 1850 deri më 1900.

    “Është trend afatgjatë me rekorde të jashtëzakonshme që na shqetëson shumë”, tha zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike e BE-së, Samantha Burgess, për agjencinë e lajmeve, Reuters.

    “Duke parë rekorde të tilla – muaj pas muaji – shohim vërtet se klima jonë po ndryshon me shpejtësi”, shtoi ajo.

    Moti ekstrem dhe temperaturat e jashtëzakonshme bënë kërdi këtë vit.

    Thatësira e nxitur nga ndryshimet klimatike në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës, shkaktoi një numër rekord zjarresh në Venezuelë nga janari deri në mars, ndërsa thatësira në Afrikën e Jugut shkatërroi të korra dhe bëri që miliona njerëz të përballen me urinë.

    Shkaku kryesor i nxehtësisë së jashtëzakonshme ishin emetimet e gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit, tha Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i BE-së.

    Faktorët tjerë që i rritën temperaturat, përfshijnë El Ninon – fenomenin e motit që ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark