Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se vlera e aseteve të jashtme neto të sistemit financiar të Kosovës arriti në 2.6 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 3.9 për qind.
“Ekspozimi i sistemit financiar ndaj sektorit të jashtëm në qershor 2016 ishte i ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Asetet e jashtme përbënin 47.4 për qind të gjithsej aseteve të sistemit financiar (48.9 për qind në qershor 2015). Në anën tjetër, detyrimet e jashtme përbënin 8.6 për qind të gjithsej detyrimeve të sistemit (8.1 për qind në qershor 2015)”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sipas BQK-së, asetet e jashtme neto të BQK-së përfaqësojnë pjesën më të madhe të gjithsej AJN të sistemit financiar me pjesëmarrje prej 49 për qind, pasuar nga fondet pensionale me pjesëmarrje prej 41.6 për qind, shkruan rtk.
Bilancit pozitiv të gjithsej AJN-ve i kontribuojnë edhe AJN-të e sektorit bankar me pjesëmarrje prej 12 për qind ndërsa, sektori mikrofinanciar ishte i vetmi që shënoi bilanc negativ prej 2.6 për qind të gjithsej AJN-ve, thuhet në raportin e BQK-së.