×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    BQK-ja i vë në para-përjashtim dy zyrtarë të lartë të kompanisë së drejtuar nga multimilioneri Avni Ponari

    Insajderi
    15 July 2024 - 15:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Multimilionerit shqiptar, Avni Ponari që drejton me degën “Sigal” edhe në Kosovë, i kanë dalë telashe me mbikëqyrësin kosovare, Bankën Qendrore. Kjo e fundit, në një vendim që e ka siguruar Gazeta Insajderi, thotë që ka vënë në para-përjashtim nga industria e sigurimeve dy zyrtarët e lartë të firmës në fjalë: Fehmi Ramosaj e Saimir Dhamo. Insajderi sjell detajet.

    Visar Duriqi

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) që mbikëqyr edhe industrinë e sigurimeve në një vendim që e ka siguruar Gazeta Insajderi ka dhënë vërejtjen e fundit, me paralajmërim për përjashtim nga tregu i sigurimeve, për dy zyrtarë të lartë të “Sigal”-it, e drejtuar nga multimilionerit shqiptar Avni Ponari.

    Fehmi Ramosaj e Saimir Dhamo janë të përmendur me emër në këtë vendim të datës 13 maj 2024,  një kopje të të cilit e ka Gazeta Insajderi- vendim ky që prek direkt funksionim e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

    Në këtë vendim, Sami Mazreku, ish-shefi i Byrosë është ndëshkuar me përjashtim për pesë vite nga industria e sigurimeve.

    BQK ka shqiptuar një sërë vërejtjesh me shkrim, dhe ku , në pikën IV, bëhet me dije se  “…iu shqiptohen masat “vërejtje me shkrim” përfaqësuesve të siguruesve në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve të BKS-së.

    Në pikën V. thuhet po ashtu se iu shqiptohen masat “vërejtje me shkrim” përfaqësuesve të siguruesve në Këshillin Administrativ Byrosë, e ku përmendën dy zyrtarë të lartë të Sigal: Fehmi Ramosaj e Saimir Dhamo.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje tash e disa javë në kompaninë “Sogal” për të marr fillimisht një koment nga ta se si e shohin vendimin e BQK-së, se a kanë marrë ndonjë masë ndaj dy zyrtarëve të tyre të përmendur në vendimin e BQK-së dhe se a janë ftuar, eventualisht, këta dy zyrtarë nga Prokuroria, por të njëjti deri tash nuk janë përgjigjur.

    Sipas të dhënave publike Fehmi Ramosaj është  Drejtor i Departamentit të Motorikës pranë̈ kompanisë̈ së sigurimeve SIGAL UNIQA Group Austria sh.a.,  derisa Saimir Dhamo anëtarë bordi në këtë kompani –dega në Kosovë.

    SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA SH.A. në Regjistrin e Bizneseve në Kosovë del të jetë 100 % në pronësi të “sigal uniqa group austria”, derisa në këtë regjistër të Ministrisë së Tregtisë si drejtor menaxhues është regjistruar Përparim Drini.

    Në të dhënat publike në Republikën e Shqipërisë, kjo firmë për administrator ka Avni Ponari, derisa kur janë radhitur aksionarët bëhet me dije se: “UNIQA Int.Bet.Ver” mban 68.64% të aksioneve dhe Avni Ponari mban 14.99% të aksioneve. Subjekti FSHAN mban 13.3 % të aksioneve dhe  Edvin Hoxhaj 3.07% të tyre.

    BQK në  këtë vendim që e mban datën 13 maj 2024, bëhet me dije se  “…iu shqiptohen masat “vërejtje me shkrim” përfaqësuesve të siguruesve në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimit. të cilët kanë qenë në detyrë për periudhën e ekzaminuar, që përfshihej viti i kaluar, dhe jo vetëm.

    Në këtë vendim, si bazë është përmendur që është përdorur një raport i ekzaminimit, por i cili nuk është i qasshëm nga publiku.

    Megjithatë, Gazeta Insajderi e ka siguruar një kopje të këtij raporti, përmbajtjen e së cilit e ka publikuar në një seri shkrimesh të botuara deri tani.

    Lexo raportimet e Insajdeit:

    Në ligjet në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve nën mbikëqyrje të BQK-së, bëhet me dije se BQK-ja ka të drejtën e lëshimit të “Vërejtjeve më shkrim” kur gjen shkelje dhe “angazhim në praktika të pasigurt”, të  drejtorëve dhe menaxherëve të lartë, punonjësve, aksionarëve kryesorë dhe atyre që kanë interes të konsiderueshëm në këtë industri.

    Ekzaminimi i BQK-së që e gjeti “hallakamë” Byronë e Sigurimeve

    Në vendimin që e ka siguruar Gazeta Insajderi, bëhet me dije se deri te ky veprim erdhi si rezultat i një skanimi të gjendjes në këtë organizatë, sjell një anë krejt tjetër të zhvillimeve në BKS sa ajo po drejtohej nga Mazreku.

    Madje në këtë vendim, BQK si rrallëherë ka qenë e ashpër me vet këtë punonjës të industrisë së sigurimeve. Dënimi: i ndalohet që të marrë pjesë në industrinë e sigurimeve hiç më pak se sa gjysmë dekade.

    “Ish-Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit. z. Sami Mazrekut, i ndalohet shërbimi apo pjesëmarrja në punët e sigurimeve për një afat prej 5 viteve dhe. rrjedhimisht, për efekt të këtij Vendimi do të konsiderohet i shkarkuar dhe i kualifikuar si “jo i përshtatshëm dhe jo i duhur””, thuhet në këtë vendim që e posedon Gazeta Insajderi.

    Sipas këtij dokumenti që e posedon Gazeta Insajderi, BQK ka kryer ekzaminimin e plotë në BKS gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023. duke përdorur të dhënat financiare të datës 31 dhjetor 2022 dhe të datës 31 mars 2023. si dhe duke përfshirë të gjitha ndryshimet materiale apo trendët pozitive dhe negative që janë paraqitur para dhe gjatë periudhës së ekzaminimit të Byrosë.

    “Qëllimi i ekzaminimit është vlerësimi i gjendjes së përgjithshme të Byrosë, duke vlerësuar efektshmërinë e funksionimit të kontrolleve të brendshme. pajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret e BQK-së. si dhe vlerësimi i përmbushjes së rekomandimeve nga ekzaminimet paraprake dhe kërkesave të Vendimit të BQK-së Nr. 47-25/2020 të datës 9 shtator 2020.Në raportin final të ekzaminimit të datës 12 dhjetor 2022 me numër protokolli 453-D-2023. është konstatuar ekspozim i lartë i Byrosë ndaj rreziqeve, veçanërisht rrezikut të lartë”, thuhet në dokument.

    Sipas të dhënave të ofruara nga Byroja për periudhën e ekzaminimit, kërkesat nga paditë e ngritura nga punonjësit dhe ish-punonjësit e Byrosë janë në vlerë prej rreth 746 mijë euro, konstaton BQK-ja.

    “Procesi i ekzaminimit ka evidentuar se për periudhën e ekzaminimit. Byroja nuk ka bërë provizionimin e kërkesave ndaj Ministrisë së Financave në shumë prej 720 mijë euro. përkundër që të njëjtat ishin me vjetërsi mbi 365 ditë. Lidhur me provizionimin e kërkesave përkatëse. Asambleja e Përgjithshme ka marr vendim për provizionimin e tyre në maj të vitit 2023, kërkesa të cilat do të provizionohen në baza kuartale deri në fund të vitit 2023”, thuhet në vendim dhe sipas BQK konstatim është në përshtatshmërisht në kundërshtim me Ligjin për Sigurimet.

    Ndër shkelje të tjera evidentohet edhe aspekti që sipas BQK-së Byroja nuk ka bërë provizionimin e kërkesave ndaj Ministrisë së Financave në shumën prej 720 mijë euro.

    Gjithashtu, në vendim thuhet se në vitin 2022, Byroja ka tejkaluar shpenzimet e realizuara në krahasim me planifikimet e tyre.

    “Procesi i ekzaminimit ka evidentuar mungesë të funksionimit të kontrollit të brendshëm në Byro. Menaxhimi i rreziqeve ndaj të cilave Byroja është ekspozuar nuk është në nivelin e duhur, procesi cili mund të rezultojë që Byroja në vazhdimësi të ballafaqohet me humbje financiare me materialitet të lartë në fushën e raportimit financiar, dëmeve, menaxhimin e resurseve humane dhe teknologjisë informatike të cilat rrezikojnë qendrueshmërinë financiare të sektorit”, thuhet ndër tjerash në vendim.

    Në vendimin e BQK-së përmendet si nga mostrat e kontrolluara të policave të sigurimit të detyrueshëm kufitar është konstatuar se pagesa e primit është realizuar në para të gatshme e që Byroja nuk ka zbatuar obligimin ligjor që ato t’i deponojë në bankë në fund të ditës.

    Si rrjedhojë, në arsyetimin e vendimit të BQK-së thuhet se, me 9 shkurt 2024, ata i kanë dërguar Byrosë njoftimin paraprakë për marrjen e masave ndëshkimore. Sipas tyre, me 27 shkurt 2024, Byroja ka dërguar kërkesën për rishqyrtimin e këtyre masave kërkesë kjo e cila është hedhur si e pabazuar.

    “BQK pas shqyrtimit të fakteve të paraqitura nga Byroja, konstaton se shkeljet e Byrosë, të cilat kanë rezultuara gjatë procesit të ekzaminimit, qëndrojnë dhe si të tilla këto shkelje janë adresuar drejtë nga ana e BQK-së në raportin final dhe në Njoftimin paraprak për marrjen e masave ndëshkimore administrative. Andaj, kërkesa e siguruesit për rishqyrtim vlerësohet si e pabazuar”, thuhet në vendim.

    Tutje BQK-ja konstaton se Byroja në vitin financiar 2022 ka tejkaluar shpenzimet e realizuara krahasuar me planifikimin e tyre. Byroja nuk është ne pajtim me kërkesat ligjore. përderisa tejkalimet e realizuara të kategoritë e shpenzimeve të pagave. mirëmbajtjes së zyrave dhe automjeteve si dhe reprezentacionit tejkalojnë planifikimin e tyre të buxhetuar për të cilin BQK ka dhënë pëlqim paraprak.

    “Procesi i ekzaminimit ka evidentuar mungesë të funksionimit të kontrollit të brendshëm në Byro. Menaxhimi i rreziqeve ndaj të cilave Byroja është ekspozuar nuk është në nivel të duhur. proces i cili mund të rezultojë që Byroja në vazhdimësi të ballafaqohet me humbje financiare me materialitet të lartë në fushën e raportimit financiar, dëmeve, menaxhimin resurseve humane dhe teknologjisë informatike të cilat rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të sektorit”, thuhet tutje në vendimin që e ka siguruar Gazeta Insajderi./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark