×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    BQK ndëshkon Sami Mazrekun- Gjysmë dekade jashtë industrisë së sigurimeve

    Insajderi
    21 May 2024 - 15:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kur u largua nga drejtimi i BKS-së, Sami Mazreku kishte njoftuar se ka dhënë dorëheqje. Por, a është kjo krejt e vërteta? Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin e BQK-së që erdhi pas një skanimi të gjendjes në këtë organizatë, e i cili vendim është shumë i aspër me Mazrekun. Ia ndalon që të përfshihet në industrinë e sigurimeve për hiç më pak se sa gjysmë dekade

    “Unë sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), duke iu falënderuar të gjithëve një nga një për bashkëpunimin që ma keni ofruar gjatë 38 muajve të fundit sa unë kam drejtuar një Institucion të rëndësishëm siç është Byroja Kosovare e Sigurimit”.

    Kështu kishte njoftuar ish-Drejtori i BKS-së publikun me 5 janar të këtij viti.

    Në një postim të gjatë, ai radhiti ato që ai i quante suksese të tij. Në fund tha se po e jep edhe arsyen e dorëheqjes.

    “Mos aprovimi i kërkesës sime që së bashku me vendimin që ka marrë Asambleja për delegimin e trajtimit te dëmeve në kompani të sigurimeve, të transferohet edhe një pjesë konsiderueshme e stafit që lidhet me trajtimin e dëmeve si dhe mos aprovimi i buxhetit për edukim financuar ku përfshihet publikimi i gazetës, mirëmbajtja e ueb faqes, organizimi i tryezave, konferencave me gazetarë, seminareve me gazetarë, dizajnimi i grafikave… etj kanë pamundësuar që unë të vazhdoj edhe më tutje të jam në krye të BKS-së”, shkroi ai.

    Por, a është kjo krejt e vërteta që bëri që ai të largohet nga njeriu kryesor i Byrosë?

    Një vendim Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) i siguruar nga Gazeta Insajderi, që ka dalë si rezultat i një skanimi të gjendjes në këtë organizatë, sjell një anë krejt tjetër të zhvillimeve në BKS sa ajo po drejtohej nga Mazreku.

    Madje në këtë vendim, BQK si rrallëherë ka qenë e ashpër me vet këtë punonjës të industrisë së sigurimeve. Dënimi: i ndalohet që të marrë pjesë në industrinë e sigurimeve hiç më pak se sa gjysmë dekade.

    “Ish-Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit. z. Sami Mazrekut, i ndalohet shërbimi apo pjesëmarrja në punët e sigurimeve për një afat prej 5 viteve dhe. rrjedhimisht, për efekt të këtij Vendimi do të konsiderohet i shkarkuar dhe i kualifikuar si “jo i përshtatshëm dhe jo i duhur””, thuhet në këtë vendim që e posedon Gazeta Insajderi.

    Sipas këtij dokumenti që e posedon Gazeta Insajderi, BQK ka kryer ekzaminimin e plotë në BKS gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023. duke përdorur të dhënat financiare të datës 31 dhjetor 2022 dhe të datës 31 mars 2023. si dhe duke përfshirë të gjitha ndryshimet materiale apo trendët pozitive dhe negative që janë paraqitur para dhe gjatë periudhës së ekzaminimit të Byrosë.

    “Qëllimi i ekzaminimit është vlerësimi i gjendjes së përgjithshme të Byrosë, duke vlerësuar efektshmërinë e funksionimit të kontrolleve të brendshme. pajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret e BQK-së. si dhe vlerësimi i përmbushjes së rekomandimeve nga ekzaminimet paraprake dhe kërkesave të Vendimit të BQK-së Nr. 47-25/2020 të datës 9 shtator 2020.Në raportin final të ekzaminimit të datës 12 dhjetor 2022 me numër protokolli 453-D-2023. është konstatuar ekspozim i lartë i Byrosë ndaj rreziqeve, veçanërisht rrezikut të lartë”, thuhet në dokument.

    Sipas të dhënave të ofruara nga Byroja për periudhën e ekzaminimit, kërkesat nga paditë e ngritura nga punonjësit dhe ish-punonjësit e Byrosë janë në vlerë prej rreth 746 mijë euro, konstaton BQK-ja.

    “Procesi i ekzaminimit ka evidentuar se për periudhën e ekzaminimit. Byroja nuk ka bërë provizionimin e kërkesave ndaj Ministrisë së Financave në shumë prej 720 mijë euro. përkundër që të njëjtat ishin me vjetërsi mbi 365 ditë. Lidhur me provizionimin e kërkesave përkatëse. Asambleja e Përgjithshme ka marr vendim për provizionimin e tyre në maj të vitit 2023, kërkesa të cilat do të provizionohen në baza kuartale deri në fund të vitit 2023”, thuhet në vendim dhe sipas BQK konstatim është në përshtatshmërisht në kundërshtim me Ligjin për Sigurimet.

    Tutje BQK-ja konstaton se Byroja në vitin financiar 2022 ka tejkaluar shpenzimet e realizuara krahasuar me planifikimin e tyre. Byroja nuk është ne pajtim me kërkesat ligjore. përderisa tejkalimet e realizuara të kategoritë e shpenzimeve të pagave. mirëmbajtjes së zyrave dhe automjeteve si dhe reprezentacionit tejkalojnë planifikimin e tyre të buxhetuar për të cilin BQK ka dhënë pëlqim paraprak.

    “Procesi i ekzaminimit ka evidentuar mungesë të funksionimit të kontrollit të brendshëm në Byro. Menaxhimi i rreziqeve ndaj të cilave Byroja është ekspozuar nuk është në nivel të duhur. proces i cili mund të rezultojë që Byroja në vazhdimësi të ballafaqohet me humbje financiare me materialitet të lartë në fushën e raportimit financiar, dëmeve, menaxhimin resurseve humane dhe teknologjisë informatike të cilat rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të sektorit”, thuhet tutje në vendimin që e ka siguruar Gazeta Insajderi./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark