Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i është djegur sot vila në Katunishtë të Podujevës. Policia e Kosovës ka nisur hetime për këtë rast.
Deputeti tha për Gazetën Insajderi, se brenda në shtëpi janë gjetur shishe të karburanteve të hedhura.
“Shtëpia është djegur, brenda janë gjetur shishe të karburanteve të hedhura. Krejt xhamat komplet janë thermuar dhe janë hedhur nga presioni”, tha Bajqinovci për Gazetën Insajderi.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Insajderin se kanë filluar hetimet për rastin.
“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se një villë në fshatin Katunishtë të Podujevës, është djegur. Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk raportohet për ndonjë person të lënduar. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin kanë nisë një hetim për rastin”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.