×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Breshëri dronësh mbi Ukrainë, Zelensky kërkon “raketat e vdekjes”, avioni amerikan kundër Rusisë

    Insajderi
    29 August 2024 - 16:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Tingulli i vdekjes” jehoi sërish në kryeqytetin e Ukrainës. Sirenat e alarmit në Kiev informuan qytetarët se raketat dhe dronët kamikazë të Rusisë po vijnë, duke i detyruar që të lënë banesat për strehime më të sigurta në orët e para të së enjtes. Shpërthime të ndryshme janë raportuar nga ky sulm. Aviacioni ushtarak ukrainas sinjalizoi se në orët e fundit, pushtuesit rusë kanë lëshuar një sërë dronësh kamikazë në rajone të ndryshme të vendit. Disa të plagosur janë raportuar në Sumi. Forcat e Kievit janë kundërpërgjigjur duke lëshuar gjithashtu fluturake me mjete shpërthyese. Moska pretendon se ka rrëzuar 7 dronë mbi qiellin e Krimesë dhe në rajonet kufitare të Briansk dhe Belgorod.

    Madje në këtë të fundit, autoritetet lokale urdhëruan evakuimin e katër fshatrave për shkak të situatës operative të tensionuar. Kjo vjen në një kohë kur forcat e mbrojtjes të Ukrainës po vazhdojnë që të marrin nën kontroll disa territore të Federatës së Rusisë. Këtë e konfirmon vetë presidenti Volodymyr Zelensky.

    “Faleminderit luftëtarë! Kjo do të na ndihmojë të kthejmë në shtëpi shumë nga qytetarët tanë që mbahen në burgjet ruse”, thekson ai në fjalimin e përditshëm.

    Përtej fitoreve, Kievi pranon dhe humbjet. Forcat ruse kontrollojnë rreth 40 për qind të qytetit strategjik të Chasiv Yar, në Donjeck, konfirmon një zëdhënës i një brigade ukrainase. Ai thekson se ky qytet është shkatërruar njësoj si Bakhmut dhe Avdiivka.

    Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, konfirmon se Rusia mund të mposhtet, por për këtë duhen raketat e fuqishme të perëndimit. Në mbështetje, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Josep Borrell, kërkoi që të hiqen kufizimet për armët e dhëna Kievit për të goditur shënjestra ushtaraka brenda Rusisë.

    Ndërkohë, për herë të parë, Ukraina ka përdorur avionët F-16 të prodhuar në Amerikë për të rrëzuar raketat e Putinit. “Ishte një sukses i madh”, konfirmoi Zelensky. (A2 Televizion)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark