Minoritetet etnike dhe me ngjyrë në Britaninë e Madhe përballen ende me pabarazi racore në shumë fusha të jetës, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë. Komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë, i cili gjithashtu shqyrtoi fusha si punësimi, strehimi, paga dhe drejtësia, tha se ka zbuluar një panoramë alarmante.
Në raportin e komisionit shkruhet se të diplomuarit me ngjyrë paguhen mesatarisht 23% më pak se të bardhët, ndërsa më shumë minoritete etnike janë të papuna.
David Isaac, kreu i komisionit, tha se raporti zbulon një kombinim të rrezikshëm të krimeve të urrejtjes pas “Brexit” dhe pabarazisë racore e sistematike në afat të gjatë. Ai tha se duhen shtuar përpjekjet për të luftuar pabarazinë racore, përndryshe ndarjet tashmë të dukshme në shoqëri do të thellohen.
“Nëse je një person me ngjyrë apo i përket një minorance etnike në Britaninë moderne, të duket shpesh sikur jeton në një botë tjetër dhe përkatësia në një shoqëri të duket si propagandë”, deklaroi Isaac.
Raporti i komisionit thekson se përpjekjet e qeverisë për të luftuar këto fenomene negative kanë qenë të fragmentuara dhe jo të planifikuara mirë.
Sipas këtij organizmi, përgjegjësia për një strategji të plotë në këtë drejtim duhet vendosur në duart e një ministrie në mënyrë që procedurat të organizohen më mirë.