
Është liruar biznesmeni Ismet Asllani, pronari i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK, i cili ishte duke u hetuar në rastin “Brezovica”, shkruan Insajderi.
Pronari i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK” Ismet Asllani, ishte arrestuar në janar të këtij viti. Ai dyshohet se i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, par.3 të KPRK-së dhe veprë n penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së.
Sipas dojes hetimore të rastit Brezovica, të siguruar nga Insajderi, Asllani që merret me prodhimin dhe montimin e produkteve nga druri, dyshohet se ia dha 40 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, në këmbim të marrjes së lejes ndërtimore.
Bashkë me Asllanin është liruar edhe zyrtari Bedri Halimi i cili po dyshohet se si person zyrtar, kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, tani MEA, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë,
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
“Po Bedri Halimi, i cili dyshohet për veprën penale sipas aktvendimit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt i është ndërpre masa e ndalimit dhe i është zëvendësu me masën e mos-afrimit të personave dhe vendeve të caktuara, nga data e sotit”, ka thënë avokati i Halimit për Insajderin.
Dy të dyshuarve, iu është caktuar masë e sigurisë, ndalimi për t’u ofruar vendit apo personit të caktuar.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 maj 2021 i kishte shpallur të pafajshëm katër të lartpërmendurit, lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas ankesës të ushtruar nga prokuroria, Gjykata e Apelit më 25 janar 2022 e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale procedurale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15.11.2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.
Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.
Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.
Lidhur me këtë rast lexo edhe: