Nga Amerika nuk ka reagim, por Britanisë i ka dhembur deklarata e fortë e Angela Merkelit. Sekretarja e Çështjeve të Brendshme, Amber Rudd këmbënguli se Mbretëria e Bashkuar dëshiron një marrëdhënie të thellë dhe të veçantë partneriteti me BE-në, edhe pas shkëputjes nga blloku evropian.
“Mund të mbështeteni te ne”, ishte mesazhi i saj për kancelaren e zhgënjyer gjermane. Me zgjedhjen e Donald Trump president të Shteteve të Bashkuara dhe “Brexit”-in që nxori Londrën nga BE-ja, evropianët – sipas Merkelit, – duhet ta marrin vet në duar fatin e tyre.
“Ne nuk mund të varemi më nga Amerika dhe Anglia”, ishte komenti i ashpër i shefes së ekzekutivit gjerman. Por Rudd këmbëngul se Londra dëshiron ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me bllokun.
“Ndërsa fillojmë negociatat për largimin nga BE-ja, ne mund ta garantojmë Gjermaninë dhe çdo vend tjetër europian, se do të jemi një partner i fuqishëm për ta në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe, shpresoj, edhe tregtisë. E sigurojmë zonjën Merkel se duam të kemi një partneritet special me bllokun, në mënyrë që ta ruajmë sigurinë europiane nga terroristët e jashtëm dhe ata që po përpiqen ta dëmtojnë vendin tonë”, tha Rudd.
Deklarata e Merkel erdhi pas refuzimit të Trump për të shpallur në samitin e G7-s riangazhimin ndaj marrëveshjes së klimës, të arritur në vitin 2015 në Paris. “Shtetet e Bashkuara nuk janë m? partner i besuesh?m”, u shpreh ajo, duke pasur parasysh në fakt edhe Britaninë e Madhe, ndërsa shikon në këtë pikë si prioritare marrëdhënien mes Berlinit dhe presidentit të ri francez, Emmanuel Macron.