Emisari special i BE Mirosllav Lajçak ka deklaruar se Brukseli pret nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq vendim largpamës sa i përket Kosovës, dhe se Asociacioni duhet të formohet sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka deklaruar për gazetën austriake “Wiener Zeitung” se pjesa më e rëndë e punës ishte që të nisë dialogu, dhe se qëllimi është marrëveshja juridikisht e obligueshme.
“Ne tashmë kemi një draft tekst mbi personat e zhvendosur dhe të zhdukur, si dhe mbi bashkëpunimin ekonomik. Por edhe këtu, parimi është se për asgjë nuk është marrë vesh derisa nuk ka marrëveshje për gjithçka. Ne aktualisht po diskutojmë tema shumë komplekse, duke përfshirë pretendimet financiare dhe të drejtat e pronës”, ka thënë Lajçak.
I dërguari special i BE kujtoi se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe u arrit në vitin 2013 dhe 2015 dhe pyeti pse nuk po zbatohet.
“Është një temë shumë e ndjeshme të cilën e ka trajtuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës – ky mendim duhet të merret parasysh. Por unë i pyes ata që thonë se tani nuk është koha për atë: kur, nëse jo tani? Epo, ju e nënshkruat vetë marrëveshjen”.
Lajçak pranoi se Vuçiq “me të drejtë pyet se çfarë i ofron BE Serbisë në këmbim”.
“Presidenti Vuçiq po bën një pyetje legjitime. Ne presim që ai të marrë një vendim të largpamës, dhe ai pyet veten: Si mund t’ua shpjegoj qytetarëve se kjo është mirë për ta? Ky proces negocimi ishte i lidhur me perspektivën evropiane të vendit që nga fillimi dhe tani Vuçiq pyet: sa do të fitojmë nga ato perspektiva evropiane”?/Insajderi.org.