Pasardhësi i shumëpritur i Bugatti Veyron është prezantuar më në fund. Ai quhet Bugatti Chiron dhe jo vetëm që duket i mahnitshëm, por performanca e tij vë në siklet edhe njëvendëshet e Formulës 1.
I prezantuar në “Geneva Motor Show 2016”, kjo makinë është përkufizuar si “më e fuqishmja, më e shpejta dhe më luksozja në botë”.
Le të përqendrohemi te shifrat: shpejtësia maksimale e këtij “përbindëshi” është 420 km/h, ndërsa 100 km/h i arrin për vetëm 2.5 sekonda. Për të arritur shpejtësinë maksimale nevojitet ai që quhet Çelësi i Shpejtësisë Maksimale. Pa të, makina arrin “vetëm” 380 km/h. Gjithmonë duke ndenjur tek shpejtësia, prodhuesit e Chiron-it thonë se 420 km/h është “shpejtësia për rrugë”, pasi makina mund të kapë 500 km/h nëse shfrytëzohet e gjithë fuqia e saj. Gjithsesi, për ta shfrytëzuar duhet një punë e madhe inxhinierike me sistemin e drejtimit dhe gomat duhet të projektohen në mënyrë që të rezistojnë një fuqi kaq të madhe.
Shpejtësia maksimale që ka arritur ndonjëherë Bugatti Veyron, paraardhësi i Chiron, ka qenë 408 km/h.
Bugatti Chiron të tillë do të bëhen vetëm 50 në vit, kështu që do të jenë shumë ekskluzive. Çmimi? 2.4 milionë euro.