
Sot kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja ka hapur fushatë zgjedhore. Në mesin e shumë qytetarëve e aktivistëve, ai ka kërkuar besimin e tyre për mandatin e ardhshëm qeverisës.
Ky është fjalimi i tij:
Të nderuar qytetarë të Lipjanit!
Anetarë e simpatizantë të PDK-së!
Familje të dëshmoreve, invalid dhe veteranë të luftës të UÇK-së së lavdishme!
Familje të martirëve e bashkëluftetarë!
Struktura të partisë e mysafirë!
Jam këtu për ju, sepse ju e keni kërkuar kandidaturën time për të miren tuaj, për të mirën e qytetit tim, për të miren e komunes time, Lipjanin tonë!
Në vitet ’80-ta, kur liria dhe të drejtat tona ishin të shtypura, unë isha aty, në ballë të përballjes. Për këtë përkushtim, u dënova me 13 vite burg. Më vonë, kur vendi kishte më së shumti nevojë, isha sërish përballë të keqes. Së bashku me ju, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të nderuar, luftuam dhe e fituam lirinë tonë të shenjtë.
U ndoqa nga shumë gjykata vendore dhe ndërkombëtare, së fundi edhe nga Dhomat e Specializuara të Hagës, dhe në fund dola i pastër në veprimin tim çlirimtar.
Me besimin dhe përkrahjen tuaj, fitova dy herë zgjedhjet lokale dhe pata nderin të shërbej si Kryetar i Komunës së Lipjanit, në një nga periudhat më të rëndësishme të shtetformimit të Kosovës.
Gjatë gjashtë viteve të qeverisjes sonë, investuam mbi 62 milionë euro në Lipjan.
Kemi bërë shumë punë, por shumë më tepër ka mbetur pa u bërë!
Fatkeqësisht, 12 vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes, diskriminimit dhe moszhvillimit.
Te nderuar qytetarë, sipmatizant të Partisë Demokratike dhe ju të pranishëm, pushteti aktual i pati 12 vite qeverisje, por që fatkeqesisht asnjëherë nuk doli të jetë në krah me qytetarin. Sot pas 12 vite qeverisje kemi stagnim në të gjithë sektorët.
Pushteti qe perfundoi 12 vite qeverisje dështoi në elementet bazë të mirëqenies së qytetarëve, ku mbi gjysma e vendbanimeve të komunës sonë nuk kanë ujë të pijshëm, gjithandej lumenjë të degraduar nga kanlizimet fekale, niveli i arsimit është në pikën më të dobët, shërbimet shëndetësore të kufizuara, ngecje ne sport e me shuarje të shumë klubeve sportive që dikur ishin aktive, e te cilat kishin rezultate në nivel vendi, shoqëritë kulturore e artistike që dikur përfaqësonin Lipjanin, sot janë të shuara e pasive si rezultat i mungeses së mbështetjes istitucionale, investimet në infrastrukturë jashtë çdo stadardi, projekte të ndryshuara e të lëna në gjysmë.
I gjithë ky dështim pasqyron mungesen e vizionit të qeverisjes qe tanime perfundoi për zhvillimin e gjithmbarshem shoqëror dhe të mirëqenies së qytetarëve tanë. Qytetarët tanë janë ngopur me 12 vjet qeverisje me projekte pa vizion e me shumë në shërbim të votes elektorale dhe jo të qytetarëve.
Pushteti i deridjeshem duke pare frymen e ndryshimit dhe mbështetjes masive të qytetarëve për vizionin tonë të ndryshimit, zhvillimit e prosporitetit të gjithmbarshëm shoqërorë, pas 12 viteve qeversje ka parë dështimet e veta në secilën fushë qeverisëse dhe po mundohet që me kopjim të lodhtë të programit tonë ti mashtroj qytetaret me premtime te njejta te para 12 viteve kinse ka vizion per zhvillim. Nen ethet e humbjes edhe sot, si çdo herë e gjithë qeverisja është koncentruar në investime të rrugëve familjare pa kurrfarë standardi me kushtëzim vote, me premtime të kota për vende pune, me shantazh e kërcënime për zyrtarët publik, shëndetesor dhe arsimor, duke zhvillu politike të hapur nepotiste, partiake, pa pasur në fokus asnjëherë nevojat e qytetarëve, duke lënë pas dore zhvillimin e vërtetë të Komunës së Lipjanit.
Kandidati i LDK-së për Kryetar të Lipjanit dhe ish kryetari me korrespodencë i komunës, mbeti fatëkeqësisht vetëm ish kryetar i votuesve të LDK-së dhe asnjëherë nuk u bë Kryetar i të gjithë qytetarëve. Për më tepër, ky ish Kryetar do të mbahet në mend, për një akuzë që, “gjoja i ka mbrojtur fëmijët nga abuzimi i ushtarët e UÇK-së gjatë luftës”; akuzë të cilën nuk e ka bërë asnjë gjykatë vendore dhe as ndërkombëtare, por që fatëkeqësisht dhe paturpërisht, e bëri ai, edhe atë në foltoren e Kuvendit të Komunës. Kështu, iken 12 vite qeverisje injorance, mosperfillje, ngecje në zhvillim për qytetarin dhe për Lipjanin.
Prandaj, sot rikthehem.
Me përvojë.
Me energji të re.
Me ekip të ri.
Me vizion të qartë dhe vendosmëri të palëkundur – për ta çuar Lipjanin aty ku e meriton!
Për këtë rikthim, kam nevojë për përkrahjen tuaj.
Lipjani ka nevojë për drejtim të vërtetë.
Për projekte madhore që prekin jetën tuaj të përditshme.
Jo për fasadë.
Jo për ngjyra.
Por për punë.
Projektet që nuk arrita t’i përfundoj atëherë – do t’i çoj deri në fund tani.
Nuk ndalem!
Mjaft më me pritje.
Koha e tyre ka kaluar.
Tani është koha jonë!
Unë jam Shukri Buja, nuk flas për ndryshim, unë vij për ta bërë atë!
Fitorja eshte e jona!