Në Bujanoc ka filluar vendosja e tabelave të emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në dy gjuhë, serbisht dhe shqip.
Vendimi mbi emërtimet e reja është miratuar në Kuvendin Komunal të Bujanocit në fund të vitit 2014, ndërsa Ministria e Pushtetit Lokal në Serbi ka dhënë pëlqimin në fillim të marsit 2015.
Me këtë vendim Bujanoci do të ketë rrugë me emërtime të personaliteteve të njohura shqiptare, si Nëna Terezë, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Migjeni, Bekim Fehmiu, por edhe personaliteteve të njohura lokale si Ilaz Selimi e Lam Breznica.
Vendimi parasheh ndryshimin e emërtimit për 22 rrugë, kryesisht ku jetojnë shqiptarët, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet me emërtimet e vjetra.
“Kemi filluar fazën e parë të vendosjes së tabelave, ku do të vendosen rreth 80 për qind të tabelave. Risi është se tabelat do të jenë në dy gjuhë, serbisht dhe shqip”, ka thënë Dursan Selimi, udhëheqës i sektorit të komunikacionit pranë Drejtoratit për Ndërtim në Bujanoc.
Megjithatë, Partia për Veprim Demokratik (PVD) vendimin e ka quajtur gjysmak, pasi nuk janë përfshirë shumë propozime të tyre, e në veçanti propozimi për të ndryshuar emërtimin e sheshit kryesor të qytetit nga “Karagjorgje Petroviq” në “Skenderbeu”.
Madje veç rrugëve, ishte dorëzuar edhe kërkesa për ndryshimin e emrit të shtëpisë së kulturës “Vuk Karaxhiq” në atë “Fan. S. Noli”./Insajderi.com