
Shpejtim Bulliqi i VV’së, si duket ka vendosur t’a rehatojë edhe vajzën tjetër me pozitë shtetërore. Pas punësimit të djalit në QS, dy vajzat e Bulliqit janë afër punësimit me pozita në MASHT. Gazeta Insajderi kishte raportuar për njërën prej tyre ditë më parë, por lista nuk përfundon aty. Edhe vajza tjetër, Egzona Bulliqi, është në garë për një pozitë po ashtu në ministrinë e Arbërie Nagavcit. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me 20 mars të këtij viti ka hapur konkurs për pozitën e punës “Zyrtar i lartë Ekzekutiv”.
Afati për aplikim ka qenë deri me 19 prill. E në mesin e kandidatëve është vajza tjetër e Shpejtim Bulliqit të VV’së.
28 kandidatë në listë janë aprovuar nga MASHT.
Ndërkohë e treta në listën e kandidatëve të aprovuar është edhe Aulona Bulliqi Zhitia.
Aulona Bulliqi Zhitia është vajza e kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i partisë së Vetëvendosjes.
Gazeta Insajderi ka siguruar edhe një foto, ku shihet kryetari i Podujevës me vajzën e tij, Aulona Bulliqi Zhitia.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, se a është e favorizuar vajza e Bulliqit, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë Insajderi ka tentuar të kontaktojë edhe Shpejtim Bulliqin, se a ka ndikuar pozita e tij që të favorizojë vajzën në konkurs, por i njëjti deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje.
Insajderi ka pyetur edhe Aulona Bulliqi Zhitia, e cila edhe pse është kontaktuar më parë, ajo është përgjigjur pasi është publikuar teksti.
“Nëse mendon që ka ndikim, hulumto të lutem edhe gjeje, përndryshe unë karrierën time do ta vazhdoj, s’do mbetem peng i sukseseve të babit tim”, ka thënë ajo për Insajderin.
Gazeta Insajderi, ka raportuar edhe për dy fëmijët e tjerë të Shpejtim Bulliqit.
Egzona Bulliqi, vajza tjetër e Shpejtim Bulliqit, e cila është një hap afër punësimit si ‘zyrtare e lartë për edukim në fëmijëri të hershme’ në Ministrinë e Arsimit e udhëhequr nga ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci.
Para disa muajve Gazeta Insajderi ka raportuar edhe për punësimin e djalit të Shpejtim Bulliqit, si zyrtarë në Qendrën e Studentëve, në pozitën e zyrtarit për Sport dhe Rekreacion.
Në konkursin e hapur ishin cekur dy kritere. E Para ‘Diplomë Universitare’ dhe e dyta ‘të paktën 1 vit përvojë pune në këtë lami”.
Kandidati i përzgjedhur, Arbër Bulliqi ka ofruar dëshmi për të parën pasi ai ka diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve në mars të vitit 2023.
Gazeta Insajderi ka konfirmuar këtë nga postimi i Shpejtim Bulliqit në Facebook I cili ka uruar të birin për diplomim.
Por, dyshimet ishin tek përvoja e punës. Ende nuk dihet nëse Arbër Bulliqi ka ofruar dëshmi se ka pasur 1 vit përvojë pune në fushën e sporteve dhe rekreacioneve pasi ai ka diplomuar vitin e kaluar.
Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht edhe për punësimet familjare e partiake në komunën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.