Përveç përplasjes brenda sallës së Kuvendit Komunal në Podujevë dje që desh kaloi në fizike, edhe sot ka vazhduar përplasja verbale mes Shpejtim Bulliqit e Ekrem Rrahmanit të LDK-së. Para pak çastesh, kryetari i Podujevës ka reaguar sërish përmes një shkrimi të gjatë, shkruan Insajderi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Bulliqi ka thënë se këshilltarët komunal të LDK-së po shpifin ndaj tij, dhe madje vet Rrahmani i ka kërkuar të dalin jashtë për siç thotë ai t’i qëruar hesapet.
Ai thotë se asamblistët e LDK-së kërkuan që të bëhet ndërrimi i një anëtari në Komitetin për Komunitete, me pretekstin se anëtari i tyre nuk është më pjesë e Grupit të LDK-së.
“Pavarësisht se asamblisti ka deklaruar se ai ka dalë nga Grupi, si i pamvarur, kryesuesi e hodhi në votim propozimin e LDK-së, gjë që nuk kaloi. LDK do të duhej ta dinte se në demokraci vendos shumica, gjë që ata nuk e kanë. Por, ata po tentojnë që kërkesat e tyre t’i imponojnë edhe me dhunë, siç ndodhi gjatë gjithë seancës së djeshme”, tha Bulliqi.
“Vazhduan me ngritje zëri, fyerje e shpifje, derisa kryesuesi u detyrua ta ndërpres mbledhjen. Asamblisti Rrahmani pasi kishte drejtuar akuza, fyerje e shpifje ndaj meje, erdhi në drejtim timin duke kërkuar që të dalim jashtë për t’i çëruar hesapet. Kaq mjafton për të parë nivelin e tij prej përfaqësuesi të popullit, që në mungesë të argumenteve tentojnë të sulmojnë fizikisht”, shkroi ai në Facebook.
Ai ka theksuar se pavarësisht kësaj situate, do të vazhdojnë punën.
“LDK le t’i vazhdon shpifjet, fyerjet e dezinformatat edhe viktimizimet sic është mësuar, sepse këtë askush nuk e bën më mirë se ta, e ne do të vazhdojmë t’i kryejmë punët tona për çka na kanë zgjedhur qytetarët. Do të vazhdojmë të punojmë pareshtur për t’i realizuar projektet e mëdha në dobi të qytetarëve, siç kemi bërë për këto katër vjet“.